SPAK i mbyll rrugët e arratisë! Telefonata me gruan dhe“location”-i fatal, si u arrestua Ilir Shtufi në Greqi

SPAK ka formalizuar kërkesën për ekstradimin e biznesmenit të ndërtimit Ilir Shtufi, i arrestuar në Selanik në qershor të këtij viti në kuadër të një hetimi për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Dokumentacioni i përkthyer zyrtarisht në greqisht i është dërguar autoriteteve greke, ndërsa kërkesa do të shqyrtohet fillimisht nga Prokuroria e Selanikut dhe më pas nga Gjykata e Ekstradimeve.
Shtufi ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ai ka kundërshtuar ekstradimin. Sipas hetimeve, arrestimi i tij u bë i mundur pasi gjatë kontrollit të banesës nga BKH-ja, bashkëshortja e tij e lidhi me agjentët përmes një video-telefonate dhe ai dërgoi vendndodhjen e tij në Selanik, veprim që më pas çoi në identifikimin dhe arrestimin e tij në hotelin ku qëndronte.
Biznesmeni dyshohet nga SPAK se ka ndihmuar në pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës nga grupi i drejtuar nga vëllezërit Koçeku, përmes transaksioneve dhe tjetërsimeve fiktive të pasurive në shoqëri ndërtimi.
Operacioni i 12 qershorit çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë, ndërsa sipas prokurorisë, paratë nga aktiviteti kriminal janë investuar në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike.


