Sot një vit nga arrestimi, Ilir Meta kërkon sërish lirinë në GJKKO

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar sërish me një kërkesë GJKKO-së, ku kërkon shuarjen e masës së sigurisë arrest me burg.
Kërkesa e mbrojtjes së Metës për liri përkon me 1-vjetorin e arrestimit të tij, për aferën CEZ-DIA e skandalin e lobimit të LSI në SHBA.
Kërkesa e Ilir Metës për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg” është rrëzuar në të tre shkallët e gjyqësorit. Më 17 tetor ishte Gjykata e Lartë që i rrëzoi rekursin ish-presidentit.
Ai mbahet në qeli prej 21 tetorit të vitit 2024 pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tre vepra penale, “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Dosja e Metës është ende në seancë praprake dhe do të jetë gjyqtarja Irena Gjoka që do të vendosë nëse do kalojë ose jo për gjykim.
Me të njëjtat akuza si Meta përballet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre persona të tjerë, Pirro Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, dhe Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash.


