Sot i jepet lamtumira e fundit poetit Jorgo Papingjit

Ditën e sotme në orën 11:00 i jepet lamtumira e fundit "Mjeshtrit të Madh", Jorgo Papingji dhe homazhet do të zhvillohen në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Më pas trupi i poetit do të përcillet për në banesën e fundit.
Ndërsa vlerësoi ndikimin e poetit në shoqërinë shqiptare përmes teksteve në këngët e muzikës së lehtë dhe popullore, presidenti Begaj i përcolli ngushëllime familjes përmes një telegrami ku, ndër të tjera, shkroi:
"Ne që u rritëm me muzikën e veshur aq mjeshtërisht nga vargjet e teksteve të tij, ëndërruam, medituam e reflektuam mbi to, do ta kujtojmë si poetin më të dashur.
Tekstet e tij i rezistuan të gjitha kohërave, sepse ai nuk ra në kurthin e eksperimenteve kalimtare, por mbeti poeti besnik ndaj rëndësisë së fjalës".
Poeti i njohur shqiptar Jorgo Papingji ka ndërruar jetë dy ditë më parë në moshën 81 vjeçare. Fillimet në botën e artit dhe muzikës i datojnë që në moshë të vogël, teksa që në fillore nisi të merrej me krijimin e poezive dhe shkrimeve të ndryshime.
Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshij apo ta gris”; ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike.
Jorgo Papingji mbaroi studimet e larta për shkenca ekzakte (matematikë-fizikë) profesion të cilin e ushtroi paralelisht me poezinë. Ai ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivali i Këngës”, njëra prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian i Këngës në vitin 2014, është emëruar “Mjeshtri i Madh” si dhe ka shkruar mbi 4000 këngë.


