Skandal në OSHEE, 40 mln detyrime të babait i vihen djalit pa dijeni

Aktualitet

Skandal në OSHEE, 40 mln detyrime të babait i vihen djalit pa dijeni

Emisioni “Stop” në Tv Klan ndodhet në Kukës, ku Isa Gashi denoncon se që nga viti 2008 ka ikur nga fshati dhe jeton me qira. Ai nuk ka lidhur asnjë kontratë energjie me OSHEE-në për banesën e tij.

Megjithatë, pa miratimin e tij detyrimet e babait të ndjerë i janë kaluar atij, duke e detyruar të paguajë mbi 40 milionë lekë.

“Faturat e energjisë elektrike i kanë faturuar në emrin tim. Unë nuk kam asnjë kontratë me OSHEE-në. Ka disa muaj që mi kanë kaluar të gjitha në emrin tim. Problemi qëndron se ky sahat ka qenë i të ndjerit babait tim, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2008. Unë kam qenë i ndarë nga familja para vitit 2008. Faturat deri në 2014-ën kanë ardhur në emrin e babait tim. Pas vitit 2014-të kanë filluar të vijnë në emrin Isa Besim Gashi dhe para disa muajsh kanë filluar që të vijnë në emrin tim. Unë nuk kam qenë fare këtu, madje familjarët më kanë njoftuar që po lidhin sahatin e vjetër tek shtëpia e re”, tha denoncuesi.

Isa tregon se banesën e ka ndërtuar në vitin 2022 dhe ka kërkuar të lidhë një kontratë të re me OSHEE, por i është refuzuar sepse prona rezulton në emër të babait. Shkalla e Parë nuk ka marrë parasysh këtë problem.

“Kam ikur, që nga viti 2008 nga fshati e kam jetuar me qira. Nuk kam asnjë kontratë me OSHEE, por pa miratimin tim, detyrimet e babait të ndjerë, m’i kanë kaluar mua. Janë 40 milionë lekë. Këtë banesë e kam ndërtuar në 2022-shin dhe kam kërkuar të lidh kontratë të re. Nuk më lejuan, pasi më thanë, që e ke në emër të babait. Shkalla e parë nuk ma mori parasysh problemin”, shtoi Isa Gashi.

Gazetari pyet, nëse ligjërisht transferimi i detyrimeve mund të bëhet pa pëlqimin e personit tjetër, dhe Ergen Elezaj, përgjegjës konfirmon se miratimi është i detyrueshëm dhe me shkrim.

Gazetari: Mua më duhet e shkuar e zeza në të bardhë, ku është firma, pëlqimi? A është kështu parimisht e ligjërisht? E zëmë se nuk është ky qytetari, por një x qytetar… Nëse një x qytetar, do që të bëjë transferim të detyrimeve, ose një kontratë të re të furnizimit me energji elektrike, duhet ta japë miratimin gojarisht? Po, apo jo?

Ergen Elezaj, përgjegjës: Është me shkrim, normal.

Isa Gashi, denoncues: I keni marrë lekë vëllait tim, për t’i hapur kontratë te shtëpia e vjetër dhe këtë kontratë, ma keni kaluar mua. Arjet Bogdani ka marrë lekë.

Isa shton se për hapjen e kontratës së shtëpisë së vjetër, Arjet Bogdani ka marrë para nga vëllai i tij dhe kontrata më pas është transferuar tek ai./tvklan.al

ME TE LEXUARAT