Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare shpëton dy pushues në Velipojë

Dy pushues kanë rrezikuar të mbyteshin në det në plazhin e Velipojës, por janë shpëtuar në kohë nga Policia Kufitare.
Ngjarja u konstatua gjatë monitorimit të vijës bregdetare me dronë dhe mjete lundruese. Punonjësit e Policisë vunë re dy shtetasit në vështirësi dhe ndërhynë menjëherë me Jet Ski.
“Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare, me mjete lundruese Jet Ski, bëri të mundur shpëtimin e 2 shtetasve, M. P., 67 vjeç, banues në Burrel, dhe Z. N., 41 vjeç, banues në Velipojë, të cilët rrezikonin të mbyteshin në det”, njofton policia.
Policia Kufitare vijon monitorimin e plazheve për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe u bën apel qytetarëve të telefonojnë në 112 në rast emergjence.