'Shit viagra'/ Prokuroria e Tiranës ndalon punonjësin e Agjencisë së Barnave, merrte 50 mijë lekë rryshfet

Një punonjës i Agjencisë së Barnave është vënë në prangat e policisë ndërkohë që kolegu i tij është shpallur në kërkim nga policia.
Ata akuzohen se në rastet kur konstatonin shkelje nga ana e farmacive merrnin prej tyre ryshfet nga 300 deri në 500 mijë lekë të vjetra për të mos i gjobitur.
“Duke qenë se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kishte në fokus të hetimeve pikërisht këta dy shtetas si dhe persona të tjerë, dhe duke vlerësuar pamjet e transmetuara nga Emisioni Investigativ Stop, pamje të cilat në unitet me veprimet e tjera proceduriale krijuan provat për vënien para përgjegjësisë penale të këtyre dy shtetasve, u ndalua shtetasi L.C., ndërsa u shpall në kërkim shtetasi A.L., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 259 te Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë
“Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria Tiranë ndalon punonjësin e Agjencisë së Barnave, një në kërkim
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.1731, viti 2022 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal, hetime këto të ndërlidhura dhe derivuara nga procedimi nr.553 i vitit 2021.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.553/2021 për veprën penale “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Magazinimi i mallrave që janë kontrabandë”, pas kontrollit të ushtruar brenda subjekteve farmaci, janë gjetur barna kontrabandë. Shitja e tyre, dyshohet se është favorizuar nga punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, disponojnë informacione të marra në rrugë operative, ku rezulton se punonjës të Agjencisë së Barnave gjatë ushtrimit të detyrës së tyre tek subjekte private farmaceutike Tiranë, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K. Penal, pasi u kërkojnë dhe u marrin shuma monetare që variojnë nga 30.000 – 50.000 lekë subjekteve private si shpërblim që të mos i ndëshkojnë me masa administrative kur i konstatojnë me shkelje.
Gjithashtu, në disa raste, këta punonjës kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi nuk kanë marrë masa administrative megjithëse kanë konstatuar shkelje tek disa subjekte farmaceutike.
Nga ana jonë, janë identifikuar punonjësit e Agjencisë së Barnave që kanë ushtruar kontroll tek subjektet farmaceutike dhe konkretisht, shtetasit A. L. dhe L. C., të cilët nëpërmjet mosveprimeve të tyre në rast konstatimi shkelje nga subjektet farmaceutike, nuk kanë marrë masa administrative ndaj këtyre subjekteve.
Gjithashtu, në Emisionin Investigativ Stop në Tv Klan në datën 25.01.2023 është transmetuar një material lidhur me një subjekt farmaci. Dy punonjësit e Agjencisë së Barnave, shtetasit A. L. dhe L. C., nëpërmjet presionit kërkojnë dhe marrin përfitime monetare nga subjekti me qëllim mosvendosjen e gjobës për parregullsitë që janë gjendur në subjekt apo edhe për një vijimësi pagesash në periudha të mëtejshme.
Duke qenë se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kishte në fokus të hetimeve pikërisht këta dy shtetas si dhe persona të tjerë, dhe duke vlerësuar pamjet e transmetuara nga Emisioni Investigativ Stop, pamje të cilat në unitet me veprimet e tjera proceduriale krijuan provat për vënien para përgjegjësisë penale të këtyre dy shtetasve, u ndalua shtetasi L.C., ndërsa u shpall në kërkim shtetasi A.L., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 259 te Kodit Penal.
Gjejmë rastin të falenderojmë Emisionin Investigativ STOP në TV Klan për inicitivën e ndërmarrë në investigimin e këtij rasti apo edhe e rasteve të tjera korruptive, e përkthyer kjo në një ndihmë për organin e Prokurorisë për dokumentimin e këtyre rasteve.
Biseda e marrë nga emisioni STOP:
Inspektori Luan Cici: S’ke pas asnjëherë, prandaj s’e di si funksionon. Farmacia është objekt kontrolli dy herë në vit për Agjensinë, se unë jam njerëzor në radhë të parë, s’jam si të gjithë aty. Aty të tjerët përshembull, vijnë të hapin recetat, të bëjnë inventar, se s’ta bëra, se s’desha ta bëja atë ditë me të rënduar edhe më shumë. Marr 4 lloj barnash dhe të them faturën hyrëse.
Farmacisti: Që domethënë me pak fjalë, domethënë me tu vu..
Inspektori Luan Cici: Me tu vu, e merr gjobën shoku.
Farmacisti: Të jesh më e mira farmaci, nuk bën vaki.
Inspektori Luan Cici: Për dy vjet e sigurtë, që e merr. Për 6 muaj ndoshta jo.
Farmacisti: Tani, juve e patë vetë, unë i ri, farmaci e re, po jo direkt me goditje.
Inspektori Luan Cici: Po pra farmaci e re. Po ne na thonë për dy vjet, kaq i rregullt paska qënë ky?! Ia kontrolluat mirë të gjitha recetat, të gjitha faturat hyrëse? Paska shit të gjitha barnat me recetë ky? Minimalisht do ta vesh gjobën 1 milionë thonë. Kupton?
Farmacisti: Do e vendosësh me se s’bën!
Inspektori Luan Cici: Dhe ne e gjejmë në këtë formë, gjuhën, aty të zyra, është çun i mirë, na ka vlerësu. Urdhëro! Kaq!
Inspektori Luan Cici: Kaq pra! Ose do ia vemë, ose do e mbyllim këtu! Kupton?
Pak ditë më pas, në 8 Janar 2023, Luan Cici dhe Armando Luka shkojnë sërish në farmacinë e denoncuesit, ku në një kthinë marrin këstin e parë të ryshfetit prej 300 mijë Lekësh të vjetra.
Inspektori Luan Cici: Hiç mo burrë, mirë…
Farmacisti: Çfarë bëhet ndonjë gjë? Tani atë muhabetin tonë…mbaroi?
Inspektori Luan Cici: Të erdhën letrat? S’kanë ardhur letrat. Do të vijnë me postë. Ja ta tregoj unë, se e ke merak ndoshta ti. Mbaroi që atë ditë ajo, mbaroi që atë ditë, ta tregova vëlla atë ditë. Harrove? Prit, prit, se ta hap unë! Do të vijnë letrat me postë. Proçedurën ne e mbyllim në moment, nuk e bëjmë dot më mbrapa. Kupton? Vendim përfundimtar, vendim administrativ, nuk ka! Nuk ka, nuk ka. T’i tregova atë ditë unë këto.
Farmacisti: Unë do të jap njëherë 300 tani, 300 pas 4-5 ditësh, se pastaj zgjatemi në kohë! Mos takohemi 100 herë dhe pastaj një këst sa të paguaj qiranë, kam të tjera gjëra! Këto gjërat e tjera i di ti tani! Mos rri të merrem unë, jo ti, jo ti.
Inspektori Luan Cici: Mirë, mirë mos e çaj kokën, se e dimë vetë këtë punë. Ne kemi thënë mos kemi probleme nga puna për veten tonë. Thjesht kur t’i bësh, merr në telefon “hajde pimë një kafe”!
Farmacisti: 200, 1,2,3,4,5 pa numëroji njëherë! 300! Numëroji!
Inspektori Luan Cici: Po s’ka problem ai muhabet, po hajt ore burrë jemi patriota!
Farmacisti: Patriota jemi, po për patriota s’duhet të ma kishe bërë këtë gjë!
Inspektori Luan Cici: Kë këtë gjë? Të iki nga puna unë?
Farmacisti: Po duhet ta kishe mbyllur dhe ku që për Vit të Ri, o burrë?
Inspektori Luan Cici: Po s’ka lidhje për vit të ri, është plan mujor. Rastisi në Dhjetor.
Farmacisti: Po pse të iki nga puna unë?
Inspektori Luan Cici: Na kërkojnë llogari, mo vëlla!
Farmacisti: Flasim edhe për pjesën tjetër, pjesa pak a shumë një javë, se është dhe qiraja.
Inspektori Luan Cici: S’ka gjë!
Farmacisti: Pastaj likuidohemi total!
Inspektori Luan Cici: Jo mo, kur t’i kesh, më merr në telefon! Mirë?
Farmacisti: Mos të flas më me Armandon?
Inspketori Luan Cici: Jo mo njësoj, ishim bashkë, s’kemi mbaruar akoma.
Farmacisti: Po pse ikën ai ashtu, çfarë halli ka?
Inspektori Luan Cici: Po ku e di unë çfarë pati! Ku di gjo, unë! Është pak tip kështu, si skuth, ka frikë. A kupton?
Farmacisti: Po, po e kuptoj! Normal!
Inspektori Luan Cici: Kurse ne dolëm patriotë!
5 ditë më pas, Armando Luka merr tek farmacisti këstin e dytë prej300 mijë Lekësh të tjera.
Inspektori Armando Luka: Çfarë bërë? Si je? Si ke qenë? Jo mo, ja është një kolegu i joni. A u lodhe? Ke bërë lëvizje?
Farmacisti: Hajde nga njëçikë! Pse nuk erdhi ai? I do kështu të trasha?
Inspektori Armando Luka: Hajde, mo burrë, çfarë janë këto muhabete?!
Farmacisti: 1,2,3,4,5,6 copë në rregull! Çfarë desha unë të pyesja një gjë, tani edhe 300 këtu tani. Ta mbyllim këtu?
Inspektori Armando Luka: Po, po i them unë atij se s’e di, çfarë ka folur se do i them atij mos e vrit mendjen!
Farmacisti: 300 i mori para ai (Luani) tani edhe 300, se çfarë më ngatërroi ai shefi, tani, se mos..?!
Ndërsa Luan Cici shpjegon sesi funksionon rrjeti i gjobaxhinjve të farmacive, në mënyrë që të shmanget hyrja e Krimit Ekonomik.
Inspektori Luan Cici: Në qoftë se unë do marr vesh diçka, kur të vijë koha pas një viti, a sa mund të jetë, unë kam atë që të bëj një takim me ty, një takim një kafe për të pirë një kafe me ty, me të thënë paraprakisht që mos të kapet njeri për 4-5 receta.
Farmacisti: Se për çdo gjë mund të kapen!
Inspektori Luan Cici: Janë tipa ore, kapen me XX. Pse e ke shit XX? A e kupton? Janë shoqëruar nga Krimi Ekonomik kur kemi qenë bashkë me ta.
Farmacisti: Ishalla nuk më kapin!
Inspektori Luan Cici: Jo, ti thjesht mundohu të mbash për përdorim vetjak o vëlla. E kam për vete se në xhep nuk ta merr njeri ty në xhep. Çfarë ke që mendon gjatë ditës, ato të pleqve “viagrat” në xhep, o vëlla!
Inspektori Luan Cici: Se e shet mo, sa e shet 8 mijë lekë copa, 10 mjë copa.
Farmacisti: Nuk merrem fare, s’du me ia dit fare!
Inspektori Luan Cici: 10 mijë lekë në ditë i shton fitim neto.
Farmacisti: Nuk merrem fare, s’dua të ia dit fare! Më kupton? Është stres dhe mu për Vit të Ri.
Inspektori Luan Cici: Po nuk është stres! Stres është të kishe përfunduar me masë ti mo vëlla, se çohet relacioni tek Krimi Ekonomik. Siç kanë shkuar kolegë të tjerë, kanë shkuar, i është gjetur qesja. Kaq! Çfarë të bëjmë ne? Qesja kaq me kontrabandë farmacie, kaq mo kaq! Ka shku, do thuash ti s’ka qëndruar brenda, po stres a e kanë kriju stresin? Kanë paguar një 5-she në dorë aty me dal jashtë. A i ke pa lajmet ti, kur ikën këta të Depove që i arrestuan?!
Inspektori Luan Cici: Po kështu pra ishte. Ia gjetën tek farmacia e vet. A e kupton? I morën, i shoqëruan, i morën edhe ndonjë Lekë. Po qëndruar tre ditë ato, të premte, të shtunë, të dielë, ndejtën brenda. Me X me atë të X, të gjithë këto e provuan njëherë. Pse? Se i mbajnë hashiqare. Thjesht ato janë pisa, Krimi Ekonomik janë pisa. Nuk të njohin. A e kupton?
Në fund të emisionit, gazetari Saimir Kodra ka bërë të ditur se kjo çështje është pjesë e Prokurorisë së Posaçme SPAK.
Saimir Kodra: Çështja që sapo trajtuam është pjesë e Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila do të kryejë të gjitha veprimet e duhura, falë bashkëpunëtorit e agjentëve tanë. Falenderoj kreun e SPAK, Altin Dumanin, prokurorin e çështjes, oficerin e Policisë Gjyqësore dhe të gjithë ata që mundësuan që këta 2 njerëz dhe jo vetëm, gjithë sistemi zinxhir të dalë para drejtësisë.