Sherri në Berat, tentuan ti merrnin pistoletën policit dhe e dhunuan, arrest me burg për 3 vëllezërit

Janë lënë në burg tre vëllezërit Gerald Marini, Marjus Marini dhe Arjan Marini, të cilët u përfshinë në një sherr dy ditë më parë në Berat, ku dhunuan një polic dhe tentuan t'i merrnin armën. Mësohet se për Gerald Marinin është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" me afat 30 ditorë, ndërsa për dy vëllezërit e tjerë u caktua "arrest me burg" pa afat.
Ngjarja u regjistrua tre ditë më parë, ku u përfshinë në konflikt tre personat që u lanë sot në burg si dhe vëllai tjetër i tyre, Armando Marini që është shpallur në kërkim. Ata u konfliktuan me komshinjtë e tyre Albert Memaj dhe bashkëshorten e tij Olta, ku këta 2 të fundit kanë mbetur të lënduar me gurë. I plagosur mbeti edhe efektiv i policisë Julian Xhelilaj, 20 vjeç, i cili ndërhyri për të qetësuar situatën, por katër vëllezërit tentuan t'i merrnin armën dhe gjatë konfrontimit, arma iu shkrep në brez, duke bërë që polici të marrë një plumb në këmbë. Polici ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

