Zhduket turisti portugez në Sarandë, u fut në det për të notuar dhe nuk doli më

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e së dielës në Sarandë, ku një turist portugez është zhdukur pa lënë gjurmë pasi është futur në det për të notuar. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të datës 27 korrik 2025, në afërsi të lagunës, në vendin e njohur si “Buka e Vivarit”.
Viktima e mundshme është identifikuar si A. G., 57 vjeç, shtetas i Portugalisë, i cili ndodhej në Shqipëri për pushime, së bashku me disa miq të tij. Sipas dëshmive paraprake, ai është futur në ujë për të notuar dhe që nga ai moment nuk është parë më të dalë në breg.
Pas marrjes së informacionit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës dhe patrullat nga toka, të cilat kanë nisur kërkimet intensive në zonën detare dhe përgjatë bregut. Deri më tani, nuk është konstatuar asnjë shenjë apo gjurmë që të ndihmojë në gjetjen e tij.
Po ashtu, pranë Komisariatit të Policisë Sarandë është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Nuk përjashtohet asnjë pistë hetimore, ndërsa autoritetet janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën përkatëse dhe miqtë që ndodheshin me turistin në momentin e zhdukjes.
Operacioni për kërkimin e shtetasit portugez vijon edhe në orët e mbrëmjes me forca të shumta nga policia, rojet bregdetare dhe strukturat e tjera përgjegjëse për emergjencat detare. Deri në këto momente, turistit i humbur nuk i është gjetur as trupi, as sendet personale, ndërsa familjarët janë informuar për situatën.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të zonës, që nëse kanë informacione apo pamje filmike që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, të kontaktojnë menjëherë me policinë.


