"Sallami, salcicet dhe mishi nuk kanë asnjëherë siguri të plotë”, profesori: Si të mbrohet konsumatori nga rreziku

Aktualitet

"Sallami, salcicet dhe mishi nuk kanë asnjëherë siguri

Ushqimi është një nevojë e përditshme dhe e domosdoshme për konsumatorin e çdo moshe. Problemi qëndron te siguria ushqimore, ku shumë njerëz shprehen se “nuk e dimë çfarë po hamë”. Në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, kjo çështje trajtohet në aspektin se nga na vjen ne informacioni për sigurinë ushqimore?

Dekani i bioteknologjisë, Kapllan Sulaj, thotë se “nuk ka asnjë ushqim 100% të sigurt”, kjo edhe sipas standardeve apo literaturës, edhe nëse mbillet vetë. Konsumatori sigurohet nga aplikimi i standardeve, por informacioni dhe edukimi i konsumatorit është po aq i rëndësishëm. Duke u ndalur te një nga produktet më të rëndësishme, mishi, Kapllani shpjegon se si mund të mbrohemi nëse ai është i pasigurt.

Si mbrohet konsumatori nga mishi i kontaminuar ose i rrezikshëm?

Kapllan Sulaj: Mishi është një nga produktet kryesore që zë peshë specifike në gatimet shqiptare sepse kemi kuzhinë mësdhetare dhe natyrisht mishi është një produkt që përdoret shumë. Por si orientohet konsumatori për ta zgjedhur këtë produkt? Kjo është shpeshherë e vështirë sepse ata orientohen nga përvoja që kanë krijuar ndër vite, madje ka persona që s’kanë përvojë në zgjedhjen e produktit, kryesisht orientohen nga cilësitë fizike që ka produkti.

I shohin me sy, mban erë apo çfarë?

Kapllan Sulaj: Ngjyrën, erën. Këto janë orientimet e para që ka konsumatori në treg. Një sy i stërvitur arrin ta dallojë mishin e freskët. Këto janë koncepte të cilësisë së produktit dhe asnjëherë nuk përcaktohet qartë ose saktë cilësia e këtij produkti. Thënë troç, mishi i shitur asnjëherë nuk ka siguri të plotë prandaj kërkohet aplikimi i standardeve. S’është vetëm mishi, janë edhe nënprodukte që prodhohen prej tij, sallamet e ndryshme, salsiçet, qoftet, proshutet, burgerat të cilat janë produkte të mishit që pavarësisht se përpunohen, mbartin rreziqe të tjera sepse edhe gjatë përpunimit të lëndës së parë ndërthuren agjentë të tjerë kontaminues dhe ngarkesa bakteriale e produktit rritet. Jo vetëm kaq, por mund të ketë edhe agjentë të tjerë që vijnë nga lënda e parë.

Sulaj ndalet edhe për të sqaruar dy qëndrime ndaj konsumimit të mishit dhe nënprodukteve të tij: një produkt që shkakton sëmundje apo i domosdoshëm për organizmin?

Kapllan Sulaj: Ka dy opinione për mishin dhe produktet e mishit. Disa kanë opinionin që mishi shkakton kancer, kryesisht produktet e përpunuara të mishit, por nuk është e vërtetuar. Efekti dëmtues te mishi rritet kur te mishi nuk plotësohen standardet, p.sh., kur rritet niveli i nitriteve në mish dhe agjentëve përpunes që përdorin te përpunimi i sallameve. Në këto raste po sepse ka kaluar vlera maksimale e lejuar dhe efekti që kanë ato në shëndet, është efekt toksik.

Ka edhe një opinion tjetër që është opinioni i kundërt i cili shfaq opinionin që mishi është një nga produktet ideale për konsumatorin dhe në të vërtetë kjo është. Mishi merret nga trupi i kafshëve dhe është një nga produktet esencialë ushqyes për faktin se mbart vlerat më të larta ushqyese se çdo produkt tjetër. Nga mishi marrim nutrientët në mënyrë maksimale që nuk i marrim nga asnjë produkt dhe kjo është arsyeja që ai gjen përdorim të gjerë në popullatë./tvklan

ME TE LEXUARAT