Rrjolli në vëmendjen e mediave të huaja, ‘The Guardian’: Shqiptarët përshkallëzojnë protestën”

Aktualitet

Rrjolli në vëmendjen e mediave të huaja, ‘The

Banorët e Rrjollit të Velipojës kanë arritur të tërheqin vëmendjen e medias ndërkombëtare pas protestës së fundit fundjavore, ku rreth 200 persona rrëzuan gardhet metalike dhe telat me gjemba të ngritura rreth kantierin të një resorti luksoz.

"The Guardian", njëra nga gazetat më me ndikim në botë, i kushton trajtim të gjerë kësaj proteste, duke e renditur lajmin të dytin në faqe.


Gazeta britanike e vendos ngjarjen në Rrjoll brenda një tabloje më të gjerë: pakënaqësia gjithnjë e në rritje e komuniteteve shqiptare ndaj projekteve të mëdha turistike në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore. Protestuesit, të cilët mbanin flamuj kombëtarë dhe brohorisnin "Revolucion", pretendojnë se projekti i zhvillimit turistik po ngrihet mbi toka të konfiskuara padrejtësisht prej tyre.
"Protestat nuk do të ndalen derisa banorët e fshatit Rrjoll të kompensohen. Ne jemi 200 familje, toka e të cilave është sekuestruar", deklaroi Zeke Nikollë Shullani, 56 vjeç, njëri nga pronarët e tokës që ka protestuar prej muajsh.


Gjatë tubimit pati edhe përleshje të vogla me efektivët e policisë, megjithatë forcat e rendit nuk ndërhynë për të penguar protestuesit të hiqnin rrethimin. Banori tjetër Nikolin Markpalaj, 60 vjeç, nuk la vend për dyshime: "Ajo që po ndodh këtu është çmenduri. Investitorët refuzuan çdo konsultim me njerëzit. A mendojnë se mund ta marrin gjithë këtë pasuri pa pasoja?"


"The Guardian" vë në dukje se protesta në Rrjoll vjen vetëm pak javë pas kundërshtimeve të ashpra në jug të vendit, pranë Vlorës, ku aktivistë dhe banorë kanë protestuar kundër një resorti tjetër luksoz të lidhur me kompani që mbështeten nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Të dy rastet, sipas gazetës britanike, ilustrojnë një tension në rritje mes investimeve strategjike dhe komuniteteve lokale në Shqipëri.


Protesta e Rrjollit është pjesë e një vale kundërshtimesh që prej 13 ditësh po përfshijnë zona të ndryshme të vendit, me protestuesit që kërkojnë mbrojtje më të fortë të pronës private dhe transparencë më të madhe në projektet turistike bregdetare.

ME TE LEXUARAT