QSUT: Nuk ka asnjë kërkesë për terapi hormonale, prezantohet udhëzuesi klinik për trajtimin

Në një deklaratë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), shefi i shërbimit të endokrinologjisë, Agron Ylli, ka bërë të ditur se gjatë periudhës maj–qershor nuk është regjistruar asnjë kërkesë apo rekomandim për trajtim me terapi hormonale.
Deklarata u bë në kuadër të një takimi me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ku u prezantua udhëzuesi klinik për trajtimin hormonal, i cili synon standardizimin e praktikave mjekësore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Tomini, sqaroi se ky udhëzues është i destinuar për profesionistët e shëndetësisë dhe ka për qëllim ofrimin e një kujdesi të standardizuar dhe cilësor, veçanërisht për personat transgjinorë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e aksesit të barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Këshillit të Evropës në Shqipëri, Giulia Re, u shpreh se rekomandimet e Këshillit të Evropës kërkojnë nga shtetet anëtare garantimin e shërbimeve shëndetësore pa diskriminim, si pjesë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe standardeve evropiane në shëndetësi.