Qëndronte ilegalisht në Maqedoninë e Veriut, shqiptari i vë flakën fshatit në Gostivar

Një shqiptar është arrestuar si autor i zjarrit në fshatin Pozharan të Gostivarit, në Maqedoninë e Veriut. 32-vjeçari me iniciale Ll.A qëndronte në mënyrë ilegale në shtetin fqinj, sipas Ministrisë së Brendshme në Maqedoninë e Veriut.
Një tjetër person dyshohet për zjarrin në Staro Nagoriçan dhe kundër tij janë duke vepruar policët dhe prokurori publik.
Gjatë ditës së djeshme, siç thuhet në njoftim, dy persona janë arrestuar, të cilët dyshohet se kanë shkaktuar zjarr para fshatit Bllacë drejt Katllanovës.
“MPB apelon që në mënyrë rigoroze të respektohet ndalesa për lëvizje në pyje, qytetarët maksimalisht t’u shmangen ndezjes së zjarreve, mbeturinave dhe mbetjeve nga të mbjellat, të mos hedhin cigare të pa ndezura dhe të mos hedhin shishe të qelqit dhe mjete të tjera të cilat pas ekspozimit për një kohë të gjatë në diell, mund të shkaktojnë zjarr”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Kanë përkujtuar se shkaktimi i zjarreve, qëllimshëm ose jo, paraqet vepër penale e cila sanksionohet me burg deri në 8 vjet.


