“Pse më shikon”/ Si nisi sherri që përfundoi me vrasjen e 14-vjeçarit në Maliq

Një ngjarje e rëndë tronditi dje Maliqin dhe opinionin publik: një 14-vjeçar humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga thika gjatë një sherri me bashkëmoshatarin e tij.
Sipas të dhënave të policisë, ngjarja ndodhi në një lokal në fshatin Pirg, ku të dy të miturit u takuan rastësisht. Fillimisht nisën të flisnin, por debati degjeneroi me fjalë të ashpra dhe më pas u kalua në përdorimin e armëve të ftohta.
Konflikti midis dy 14-vjeçarëve kishte nisur rreth një vit më parë, ndërsa takimi i rastësishëm i djeshëm u ndez nga një fjalë e thjeshtë: “pse më shikon”. Ky moment shpërtheu përleshjen që përfundoi tragjikisht me vdekjen e njërit prej tyre.
Të miturit ishin të shoqëruar nga shokët e tyre, të cilët, sipas hetimeve, tentuan të pengonin zbulimin e së vërtetës. Policia arrestoi gjithsej tetë persona: autorin 14-vjeçar të dyshuar për “vrasje me dashje” dhe “drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”, babanë dhe xhaxhanë e tij që fshehën mjetin prerës (thikën), katër të mitur të pranishëm gjatë konfliktit dhe një 34-vjeçar që tentoi të largohej në të njëjtin automjet me autorin.
Gjithashtu, u sekuestruan thika, automjeti me të cilin tentuan të largoheshin dy shtetasit dhe pesë celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


