“Pse më preke me dorë? Unë jam i policisë!”/ U përplasën me fjalë gjatë protestës, 59-vjeçari dhunohet nga dy persona në Rrëshen

Një ngjarje e pazakontë është denoncuar ditën e sotme në Rrëshen nga Kol Ndoji, 59 vjeç, banues në këtë qytet, i cili pretendon se është dhunuar nga dy persona, mes tyre një shtetas me mbiemrin Prenga.
Sipas kallëzimit të bërë në polici, Ndoji shpjegon se ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, pasi kishte blerë disa ushqime pranë tregut të qytetit, afër lokalit të një shtetasi të quajtur Tonin Topollaj. Ai tregon se një prej agresorëve, me mbiemrin Prenga, është nga fshati Mashtrekor, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, ndërsa tjetrin nuk e njeh.
59-vjeçari ka kujtuar gjithashtu një përplasje të mëparshme me të njëjtin person më 15 prill 2025, gjatë një proteste në fshatin Arrëz kundër hidrocentraleve të Kompanisë “Shperdhaza”. Atëherë, sipas tij, personi me mbiemrin Prenga i kishte bllokuar rrugën me një makinë tip foristradë me fenelina si ato të policisë, ku kishin pasur edhe një debat.
“Sot, ai m’u afrua dhe më tha ‘a më njeh mua se kush jam unë, a të pata thënë se do të dali punë me mua’, dhe më pas të dy më goditën me grushte,” shprehet Ndoji në kallëzim.
Më tej ai tregon se ka tentuar të largohet me vrap, por dy personat e kanë ndjekur me makinë dhe më pas janë përballur sërish, ku janë goditur me gurë. “Në atë moment ky personi me mbiemrin Prenga më tha ‘pse, çfarë më di ti mua, unë jam i policisë’, dhe më pas u larguan”, përfundon ai.
Policia ka nisur hetimet për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë./tch


