Shpëtohen 5 turistë të huaj në Gjirin e Filikurit, ndërhyrje emergjente në Himarë

Aktualitet

Shpëtohen 5 turistë të huaj në Gjirin e Filikurit,

Policia Kufitare në Himarë ka ndërhyrë në dy raste emergjente gjatë 24 orëve të fundit në Gjirin e Filikurit, duke shpëtuar dhe evakuuar pesë turistë të huaj që ndodheshin në rrezik për jetën.

Në rastin e parë, katër turistë të huaj, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët kishin dalë me kajak nga zona e Potamit drejt Filikurit, humbën kontaktin me grupin për shkak të motit të keq dhe dallgëve të forta.

Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan kërkime përgjatë vijës bregdetare dhe arritën t’i lokalizojnë pranë “Gurit të Kuq”, duke i evakuuar në mënyrë të sigurt.

Në një rast tjetër, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi ishte dëmtuar fizikisht dhe kishte mbetur e bllokuar në zonën e Gjirit të Filikurit.

Policia Kufitare ndërhyri menjëherë me mjet lundrues, duke e lokalizuar dhe transportuar drejt Portit të Himarës, ku më pas u dërgua për trajtim mjekësor në spital.

Turistët e shpëtuar kanë falënderuar policinë për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar, ndërsa Policia Kufitare ka theksuar se vijon të jetë në gatishmëri të plotë për garantimin e sigurisë së vizitorëve dhe qytetarëve në zonat bregdetare.

ME TE LEXUARAT