Pogradec, plazhi publik po zhduket, vetëm 11 metra hapësirë falas për qytetarët

Fillimi i sezonit turistik në Pogradec po shoqërohet me debate për mënyrën si menaxhohen hapësirat buzë Liqenit të Ohrit, ndërsa banorë e biznese ngrenë shqetësime për zvogëlimin e zonave të lira nga pagesa.
Sipas administratorit të një biznesi në qytet, Dritan Hoxha, gjatë një vije bregore prej rreth dy kilometrash, qytetarëve u ka mbetur në dispozicion vetëm një brez prej 11 metrash plazh publik, pa pagesë.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Taksave në Bashkinë Pogradec sqaron se sipas hartës zyrtare të miratuar të plazheve, parashikohen tre parcela publike dhe tre private, dhe se sipërfaqet e tyre nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e shkuar.
Po ashtu, bashkia bën të ditur se lejet për stacionet e plazhit nuk varen prej saj, por miratohen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila ka kompetencën për të vendosur për operatorët turistikë.


