Parashikimi i motit/ Paradite diell, vranësira dhe temperatura të larta, pasdite rrebeshe shiu

Kjo e shtunë do të karakterizohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme në vendin tonë. Sipas parashikimeve meteorologjike, moti do të nisë me kthjellime, ndërsa gjatë orëve të mesditës dhe të pasdites do të ketë shtim të vranësirave në një pjesë të territorit.
Reshjet e shiut pritet të përqendrohen kryesisht në zonat malore të lindjes dhe juglindjes, ku do të shfaqen në formën e shtrëngatave afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në disa zona nuk përjashtohet edhe mundësia e rënies së breshërit.
Pas orëve të pasdites, moti pritet të përmirësohet gradualisht, me kthjellime që do të dominojnë në pjesën më të madhe të vendit.
Temperaturat minimale do të zbresin deri në 17°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 34°C, duke ruajtur vlerat tipike të stinës së verës.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja në veriperëndim, me një shpejtësi mesatare prej 7 m/s. Në zonat bregdetare dhe luginore, herë pas here, era pritet të forcohet deri në 12 m/s.


