“Nuk ka përfituar tendera nga buxheti i shtetit”! I përfshirë në rrëmbimin e Gerond Meçes? Avokati: Ergys Agasi nuk e njeh fare!

Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçmen, për të marrë dokumentet për klientin e tij.
Ai u shpreh se Agasi nuk ka njohje me Gerond Meçen, i cili pretendohet se është marrë peng në mënyrë që të tërhiqej nga tendera të AKSHI-t, në mënyrë që të përfitonte një biznesmen tjetër, Ermal Beqiraj.
“Nuk ka asnjë provë që zoti Agasi të jetë marrë me tendera. Nuk njihet as me personin që pretendohet se i është hequr liria”, tha ai.
Haxhia tha se në dosjen e SPAK nuk ka asnjë provë që vërteton se Agasi ka lidhje me fushën e tenderave dhe është i përfshirë në rrëmbim personi. Haxhia tha se klienti i tij ndodhet jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi, dhe se sapo të kthehet në Shqipëri do të përballet me drejtësinë.
“Është jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi. Patjetër që do të vetëdorëzohet, kur të kthehet do mbajë qëndrimin për t’u përballur me drejtësinë.
SPAK e komprometon, nxjerrja e të dhënave të dosjes komprometon, konkluzionin e nxjerr politika dhe opozita.
Kur nuk është politikan çlidhje ka ai me emërime? SPAK thotë ato që do SPAK, por jo ato që janë në realitet dhe prova, nuk ka asnjë provë që Agasi të jetë marrë me fushën e tenderave, por as nuk njihet me personin”, tha ai duke iu referuar Gerond Meçes, i cili u mor peng dhe u kërcënua që të hiqte dorë nga ankimimet për tenderat.


