Në vend të grurit, mbillte drogë! Arrestohet 48-vjeçari dhe i ati “kujdestar”

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, në vendin e quajtur “Fushat e fshatit Povelçë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën të kultivuara 1000 bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike, shtetasi E. Gj., 48 vjeç, banues në Pojan, i cili u arrestua për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në lidhje me këtë rast u procedua penalisht edhe babai i shtetasit E. Gj., shtetasi E. Gj., 77 vjeç, i dyshuar i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 2 krehëra dhe 14 fishekë luftarak.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.


