Hamza Lici dhe Arlind Bushati humbën kontrollin e mjetit pas breshërive të plumbave, më pas përplasën çiftin
Është zbardhur dinamika e ngjarjes së rëndë kriminale në Shkodër psditen e sotme (30 tetor), nga e cila mbetën viktima Hamza Lici dhe kalimtarja e rastit Flutura Basha, ndërsa u plagosën Arlind Bushati, i cili ishte në makinë me Licin dhe kalimtari Bashkim Basha.
Atentati ka ndodhur rreth orës 15:50, në zonën “5 Heronjtë”, në Dobraç të Shkodrës, teksa dyshja Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ishin duke udhëtuar së bashku në një automjet tip “Benz”.
Këta të dy, u sulmuan me armë zjarri nga një automjet tjetër në lëvizje, duke lënë kështu viktimë Hamza Licin, ndërsa Arlind Bushati mbeti i plagosur rëndë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Për shkak të atentatit, automjeti tip “Benz” me të cilën po lëviznin Lici dhe Bushati humbi kontrollin, duke u përplasur kështu me mure, bordura si dhe një motomjet, në të cilën po lëviznin çifti Bashkim dhe Flutura Basha.
Bashkëshortët Basha ishin kalimtarë të rastit, e fatkeqësisht për shkak të përplasjes ka ndërruar jetë Flutura Basha, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Ende nuk dihet arsyeja e këtij atentati ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Rikujtojmë se Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i shpallur në kërkim nga autoritetet për vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të Lulzim Bashës për kryetar bashkie në Shkodër, ka denoncuar mbrëmjen e 11 tetorit se është kërcënuar me armë nga persona të paidentifikuar që po lëviznin me motor.
Sakaq, në vendngjarje ndodhen shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”
Një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet intensive për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e rimeve të Rënda.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Në makinë me Licin, djali i Xhemal Bushatit u qëllua me plumb në kokë! Si e pësoi dhe çifti në motomjet
Një atentat i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në lagjen Dobraç të Shkodrës ku pas të shtënave me armë ka humbur jetën Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur djali i ish-kandidatit të PD për Bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati.
I biri i tij, Arlindi, ka marrë një plumb në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa është qëlluar teksa ndodhej në makinë me Licin.
Viktimë ka mbetur edhe një grua, dhe u plagos i shoqi. Ata ishin në vendin e gabuar, në kohën e gabuar…. duke udhëtuar me një motor, në momentin që makina e Licit, pas të shtënave ka humbur kontrollin dhe ka përplasur mjetin e çiftit. Këta të fundit janë identifikuar si Bashkim dhe Flutura Basha.
Por si ndodhi ngjarja?
Dyshohet se atentatorët e kanë ndjekur me makinë Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, të cilët udhëtonin me një MercedesBenz, me targa kroate.
Pasi u janë afruar, ata kanë hapur zjarr duke lënë të vdekur Licin dhe plagosur Bushatin. Më pas mjeti ku po udhëtonin dy të fundit, ka dalë nga rruga, ka përplasur motorin e çiftit që kalonte rastësisht, e më pas është përplasur me një mur.
Dyshimet janë se atentati është bërë nga grupi i Bajrajve, një konflikt i hapur prej vitesh mes këtyre të fundit dhe Licve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.
Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.