Në kërkim me qëllim ekstradimin në SHBA, arrestohet në Tiranë gruaja, ja për çfarë akuzohet

Interpol Tirana ka arrestuar një shtetase, e cila ishte shpallur në kërkim nga SHBA, për veprën penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”. Policia njofton se shtetësja L.H do ekstradohet në SHBA.
“Interpol Tirana/ Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë /Zyra e Hetimeve Kriminale (DSS/OCI e Ambasadës Amerikane në Shqipëri) dhe me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, kanë bërë lokalizimin dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së, të shtetases L. H.
Arrestimi i saj është bërë nisur nga kërkesa e ardhur nga ana e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, për arrestimin e përkohshëm të saj, me qëllim ekstradimin nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar më datë 28.07.2021, për kryerjen e veprës penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”, parashikuar Kodi Penal i SHBA-së.
Mbështetur në Traktatin Dypalësh të Ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u realizua arrestimi i kësaj shtetaseje, me qëllim ekstradimin e saj nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Drejtësisë, është duke kryer të gjitha veprimet ligjore për ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara.”, njofton policia.


