Ndihmonte emigrantët të kalonin kufirin drejt Malit të Zi, arrestohet 28-vjeçari në Shkodër

Një operacion i koduar “Itinerari” në Shkodër ka çuar në arrestimin e një 28-vjeçari, Stiven Muça, i dyshuar për trafikim emigrantësh nga vendet e treta drejt Bashkimit Europian.
Policia njoftoi se Muça u kap në flagrancë teksa po transportonte 5 klandestinë me makinë drejt Malit të Zi, duke marrë përfitim financiar prej 600 eurosh për çdo person vetëm për shërbimin e transportit. Sipas hetimeve, ai merrte emigrantët në kufirin grek dhe më pas i kalonte nga territori i Malit të Zi, për t’i futur në BE në mënyrë të paligjshme.
“Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Itinerari”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 28 vjeç, banues në Shkodër”, njoftoi policia vendore.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se i riu ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor, duke i transportuar nga kufiri jeshil me Greqinë në drejtim të Malit të Zi, kundrejt pagesës 600 euro për person.
"Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë”, sqaroi policia.
Kurse hetimet e mëtejshme i kaluan prokurorisë vendore.


