Mes protestave për Zvërnecin, Ambasadorja amerikane: Mirëpritini investimet, por mbroni sektorët strategjikë

Në një kohë kur investimi 4 miliardë dollarësh në Zvërnec ka ndezur debat publik dhe protesta masive që vazhdojnë prej 16 ditësh, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, përcolli të hënën një mesazh të qartë për klimën e investimeve në Shqipëri.
Gjatë prezantimit të mekanizmit të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte, VanHorn solli në vëmendje politikën e investimeve të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se investimet që forcojnë rritjen ekonomike duhet të mirëpriten, por pa cenuar sigurinë kombëtare.
“Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim. Dhe kjo përputhje ka rëndësi. Natyrisht, miratimi i një ligji është fillimi, jo fundi. Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë – dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi”, tha VanHorn.
Sipas saj, kuadri i shqyrtimit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri është një sinjal se vendi është i hapur për biznes, por në të njëjtën kohë synon të mbrojë interesat kombëtare dhe të përmbushë standardet ndërkombëtare.
“Kjo është shumë e rëndësishme. Kuadri i shqyrtimit të IHD-së (Investimeve të Huaja Direkte) të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik – është një deklaratë strategjike. Tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe plotëson standardet ndërkombëtare” tha ajo
VanHorn tha se investitorët amerikanë po e ndjekin me vëmendje zhvillimin e klimës së biznesit në Shqipëri, duke theksuar se kompani amerikane janë tashmë të pranishme në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe teknologjisë, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar.
“Investitorët po i kushtojnë vëmendje – përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Ministren Ibrahimaj dhe me ministri e institucione të tjera që do ta sjellin këtë kuadër në jetë. Kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë – dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton.”, u shpreh ajo.
Deklarata e VanHorn vjen teksa një ditë më parë, kryeministri Rama ngriti pikërisht tezën që protestat dhe fushata kundër investimit po dëmtojnë klimën e investimeve dhe imazhin e Shqipërisë. Ai mbrojti investimin në Sazan dhe Zvërnec, duke këmbëngulur se Shqipëria duhet të vazhdojë të tërheqë investime të mëdha dhe se vendi “nuk do të frikësohet nga ëndrrat e mëdha”.


