“Çmenduri” në Rrugën e Kombit, me shpejtësi 205 km/h, e pëson keq shoferi i “Audi”-t

Aktualitet

“Çmenduri” në Rrugën e Kombit, me shpejtësi

Policia Rrugore apelon sërish për shoferët të respektojnë rregullat e qarkullimit, teksa ka rritur kontrollet gjatë fundjavave.

“Mos shpejtoni të arrini detin, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin!”, bën thirrje policia.

Qarkulloi me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit, konstatohet nga mjetet inteligjente të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, si dhe ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj dhe me masë plotësuese, drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8”.

Gjatë 2 javëve të para të muajit korrik, shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, të pajisura me mjete logjistike bashkëkohore, ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë, prej tyre:

– 135 shtetas kosovarë u ndëshkuan me masë administrative sa dyfishi i masës administrative që parashikon Kodi Rrugor;

– 9 shtetasve shqiptarë iu është pezulluar leja e drejtimit për periudha nga 3 deri në 12 muaj, si dhe iu janë zbritur nga 5 deri në 8 pikë nga leja përkatëse e drejtimit.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, 70 automjete janë shpallur “Alert”, pasi qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, në tunelin e Kalimashit.

“Në fundjavë, në çdo aks ka radarë. Udhëto me jetën në mendje! Destinacioni pret.
Nëse konsumon pije alkoolike gjatë fundjavës, mos drejto automjetin, por përdor mjetet e transportit publik!
Hiq celularin nga dora! Shto vigjilencën!
Policia qëndron në rrugë për të të këshilluar dhe për të të ndihmuar. Qëllimi i vetëm i Policisë Rrugore, mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të përdoruesve të rrugës”, apelon policia.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion