Makinat u përplasën kokë më kokë në Përrenjas, plagoset këngëtari i njohur

Pesë persona u plagosën pasditen e sotme në Përrenjas si pasojë e një aksidenti. Raportohet se mes të lënduarve është edhe një këngëtar, Astrit Belba.
44-vjeçari është këngëtar i njohur i muzikës popullore. Ai është transportuar për ndihmë dhe pas marrjes së mjekimit ka dalë nga spitali.
Të plagosurit e tjerë janë Lulzim Skura 32 vjeç, i cili është transportuar në spitalin e Elbasanit, Muhamet Çela 69 vjeç, dhe një çift nga Struga që udhëtonte në “Benz”, Armenda Iljazi 46 vjeç dhe Mevlud Iljazi 47-vjeç.
Armenda Iljazi ndodhet në gjendje kome si pasojë e dëmtimeve që ka pësuar nga aksidenti dhe u transportua për në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa bashkëshorti Mevlud Iljazi është jashtë rrezikut nën kujdesin e mjekëve në Librazhd.
Dy makina e përfshira në aksident janë një “Benz” dhe një “Volkswagen” e cila ka përfunduar jashtë rrugë.
Dyshohet se shkak i këtij aksidenti të jetë bërë shpejtësia tej normave të lejuara dhe një parakalim i gabuar. Po punohet për zbardhjen e rrethanave.


