Kurthi për trafikantët shqiptarë: investigimi i “Sky News” zbulon se si trafikohen emigrantët për 24 mijë stërlina

Aktualitet

Kurthi për trafikantët shqiptarë: investigimi i “Sky

Një hetim i bërë nga stacioni televiziv britanik i lajmeve Sky News, zbulon modelin e biznesit që aplikojnë trafikantët shqiptarë të emigrantëve drejt ishullit.

Sipas hetimit, trafikantët shqiptarë përdorin dokumenta fallco për të sjellë emigrantët nga tuneli nëndetar që lidh Francën me Anglinë, ndërkohë një pjesë e viktimave mbahen peng për të punuar në tregtinë e shpërndarjes së drogës për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe trafikimit, njofton nga Londra korrespondenti i Top-Channel, Arben Manaj.

Nuk është surprizë për ata që e njohin se si funksionon trafikimi i emigrantëve nga kontinenti evropian drejt brigjeve angleze, që trafikantët përdorin dokumentat fallco për të sjellë emigrantë nga Franca përmes tunelit nëndetar që lidh Francën dhe Anglinë.

Trafikantët më pas, përmes futjes së emigrantëve në makina luksoze, dhe përmes shumash që shkojnë deri në 24 mijë stërlina, ku një pjesë e atyre që s’kanë mundësi pagese i mbajnë të lidhur pas borxhit dhe i fusin në tregtinë dhe shpërndarjen e kokainës nëpër rrugët e Londrës e gjetkë, për të shlyer borxhin ndaj trafikantëve.

Hetimi i rrjetit televiziv britanik të lajmeve Sky News, përmes gazetarëve të kamufluar, kanë zbuluar nga takimi me një trafikant shqiptar, që shpesh bien pre lehtësisht në kurthet gazetareske, dhe ky trafikant shqiptar i dënuar për tregti droge, i ofron gazetarit të Sky News shumën e 24 mijë stërlinave për të sjellë një kushëri të pretenduar të gazetarit të kamufluar me theks nga nënkontinenti Indian, dhe i ofron të punojë për gjysmën e shumës si shpërndarës droge dhe kokaine për emigrantin që do trafikonte në Angli.

Ky kalim nuk u realizua, pasi Sky News e tërhoqi tentativën, edhe pse trafikanti premtoi ta kalonte emigrantin e supozuar përmes hipjes së tij në një Range Rover që kishte kushtuar 100 mijë stërlina dhe që e ngiste për shumë vite një shtetas britanik me origjinë turke, e që bënte këtë rrugë çdo javë prej vitesh. Stafet e emigracionit, nën presionin e volumit të kalimeve, kur shohin një makinë me targa britanike që mendojnë se kthehet në atdhe, janë më neglizhentë në verifikimin e dokumentave të pasagjerëve në automjete, sipas hetimit të Sky News.

Ndërkohë, hetimi i stacionit të njohur televiziv britanik nxjerr në pah edhe dështimet e stafit të Kontrollit të Kufirit në Evropë dhe Britani, ku mësohet për mungesë stafi dhe për nevojën e investimeve në teknologji dhe trajnimin e stafeve për të përballuar numrin e lartë të njerëzve që hyjnë e dalin përmes ngushticës së La Manshit mbi det dhe në tunelin nëndetar.

Edhe pse zyrtarët e emigracionit dhe kontrollit kufitar thonë se teknologjia në kufi është shumë e mirë, sërish e pranojnë se është një luftë konstante për të qenë një hap para atyre që tentojnë të hyjnë ilegalisht në Britani. Ndërkohë, trafikantët janë gjithnjë e më kreativë në këtë biznes. Sky News ka siguruar nga hetimi një listë me numra trafikantësh të qenieve njerëzore me origjinë shqiptare që reklamojnë shërbimet e tyre në median sociale.

Një oficer britanik i Kontrollit Kufitar thotë se, edhe pse ka marrëveshje për rikthimin e shpejtë të emigrantëve mes Shqipërisë dhe Britanisë, vihet re një rritje në radhët e shqiptarëve, por edhe nacionaliteteve të tjera që tentojnë të hyjnë në Britani me dokumenta fallco.

Hetimi i Sky News zbulon fenomenin shqetësues të trafikimit ilegal të personave që më pas përfshihen në tregtinë e drogës në Britani, si dhe mungesën e kontrolleve të sigurisë në Kanalin Anglez, ose La Mansh.

Sipas një drejtuese të organizatës së bamirësisë, “Unseen”, Justine Carter, lidhja me borxhet ndaj trafikantëve është një mjet i qëllimtë që përdoret për të detyruar dhe trysnuar viktimat drejt borxheve të fryra dhe të manipuluara. Sky News i referohet edhe akademikut shqiptar në Londër, Dr. Andi Hoxhaj, i cili thotë se ka 3.5 milionë përdorues të rregullt kanabisi në Britani, andaj ka një treg droge dhe tregti droge që kanë nevojë të madhe për drogë të rritur ose transportuar në Britani.

Sipas Dr. Hoxhajt, Brexit-i ka ndikuar në kohën që kërkohet nga agjencitë ligjzbatuese britanike për të marrë informacione nga homologët e tyre evropianë. Sipas Home Office, rastet e azilit për ata që hyjnë me kamionë kanë rënë në 25 për qind gjatë vitit të kaluar, çka tregon se qasja jonë funksionon, thotë zëdhënësi. Por faktikisht, ardhjet me gomone vazhdojnë të rriten edhe pas ardhjes së Kryeministrit të ri britanik në detyrë.

ME TE LEXUARAT