“Kam qenë grua e pavarur”/ Zbardhen debatet e Kryemadhit në gjykatë: “Kam bërë çfarë më ka dashur qejfi....

Ish-deputetja Monika Kryemadhi është përfshirë në debate me prokurorin Sotir Kllapi gjatë seancës në GJKKO.
Kryemadhi kërkoi pavlefshmërinë e provave të administruara nga SPAK, përfshirë edhe ato të marra nga një telefon celular që i është sekuestruar në banesë. Ajo theksoi se nuk mund t’i ushtrohej kontroll pa lejen e Kuvendit, pasi në atë kohë ishte deputete.
Kryemadhi i kërkoi SPAK-ut t’i vërë në dispozicion të gjitha procesverbalet e hartuara gjatë ekspertimit të telefonit celular.
Ndërkohë, prokurori Sotir Kllapi deklaroi se të gjitha vendimet ndodhen në fashikullin e vënë në dispozicion të gjykatës, duke shtuar se nuk kanë qenë në dijeni se telefoni celular ishte i Kryemadhit, pasi ai është gjetur në banesën e regjistruar në emër të nënës së saj.
Gjatë debateve në seancë, Kryemadhi deklaroi se akuza e ngritur ndaj saj është seksiste. Ajo tha se SPAK pretendon se bënte gjithçka që i kërkonte Ilir Meta, ndërsa shtoi se “kam bërë çfarë më ka dashur qejfi”.


