“Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës”, Veliaj para ‘Kushtetueses’: Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta

Aktualitet

“Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës”,

Erion Veliaj ka folur në Gjykatën Kushtetuese duke thënë pretendimet e tij, duke kundërshtuar shkarkimin nga kryetari i bashkisë së Tiranës.


Veliaj u shpreh se po flet para Gjykatës Kushtetuese si kryetar i bashkisë së Tiranës, ndërsa ngriti pyetjen se çfarë ka bërë që të jetë i mbyllu në qeli.

Fjala e Veliajt:

Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Edhe pse e di mirë se kjo është e drejta ime kushtetuese, dua t’ju falenderoj me respekt që më keni dhënë mundësinë të jem sot i pranishëm, për të ushtruar të drejtën time, për t’u dëgjuar para Jush dhe para gjithë shqiptarëve.

Beteja ime për t’u dëgjuar prej jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese, për të dëgjuar se çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra, ku më kanë zgjedhur qytetarët, dhe jam mbyllur në një qeli me regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë.

Kam përjetuar një periudhë të gjatë, të mbushur me shkelje të të drejtave të mia themelore si qytetar i kësaj Republike, por mbi të gjitha, një periudhë denigrimi dhe përpjekjeje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri, tre herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.

Por, kjo nuk është thjesht përpjekje për të më denigruar mua, por është përçmim ndaj vetë votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Dhe përçmimi ndaj saj është përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët; është përçmim i fuqisë që populli i jep Republikës për ta drejtuar në emër të tij.
Siç thoshte Martin Luther King: “Harku i Universit Moral është i gjatë dhe rraskapitës, por në fund anon nga e drejta.”

Ndaj, jam sot këtu, përpara Jush, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të kombit tonë, me të drejtën që ma kanë dhënë 160 mijë vota qytetarësh të lirë të këtij qyteti, në fund të këtij harku 9-mujor në kërkim të së drejtës.

Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë. Demokracinë për të cilën, si unë, ashtu edhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta mbrojmë — jo në letër, por me veprim, edhe në këtë sallë, sot.

Ky mandat nuk është i imi. Ky mandat është një besëlidhje publike, një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj unë do të bëj gjithçka që më lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime.
Do ta mbroj deri në fund sepse nuk po mbroj një karrige, por shpirtin e një lidhjeje të shenjtë midis qytetarit dhe të zgjedhurit të tij.

Populli i këtij vendi, përmes Kushtetutës së tij, ka vendosur qartë se askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri vendor përpara afatit, përveçse kur ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit.
Ky nuk është një zbulim i ri; është një premtim solemn i Republikës ndaj vetvetes, një kufi moral dhe ligjor që askush — as unë dhe as Ju — nuk duhet ta shkelë pa rrëzuar më parë themelet e besimit publik mbi të cilat ngrihet vetë shteti.

Prandaj, me respekt të plotë dhe solemn për këtë Gjykatë, pyes sot:
Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës?

Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve.

Besimi im se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë.
Bindja ime se drejtësia duhet të burojë nga Kushtetuta dhe jo nga protagonizmi politik apo etja për karrierë mbi kurriz të lirive themelore të qytetarëve është e palëkundur.

Ato çfarë Kushtetuta i mbron, shpresoj që në këtë sallë të thuhen me zë të lartë, të arsyetohen nga Ju dhe të dëgjohen nga çdo shqiptar që ende beson se ligji duhet të të mbrojë, jo të të sulmojë padrejtësisht.

ME TE LEXUARAT