Ish.zv-kryeministrja Belinda Balluku në Prokurorinë e Posaçme, SPAK tregon arsyet dhe çfarë iu komunikua

Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht lidhur me paraqitjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në ambientet e SPAK, duke sqaruar arsyen e thirrjes së saj.
“Në përgjigje të kërkesave tuaja, znj. Belinda Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi, objekt hetimi; për t’u pyetur lidhur me akuzat, si edhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale”, thuhet në reagimin e SPAK.

Më herët gjatë ditës, ish-zëvendëskryeministrja u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku qëndroi për rreth 20 minuta.
Ballukut iu komunikua zgjatja e afatit të hetimeve me tre muaj, si edhe akuzat e reja që lidhen me tre lote të projektit të Unazës së Madhe.
Në dalje nga SPAK, Balluku u shoqërua nga avokati i saj, Ardian Kalia. As ish-numri dy i qeverisë dhe as mbrojtësi i saj ligjor nuk pranuan të bënin komente për mediat, pavarësisht interesit të gazetarëve.

Kujtojmë gjithashtu se gjatë paradites qytetarë dhe aktiviste u mblodhën para SPAK duke hedhur parulla kundër Belinda Ballukut.
Ndërkohë, një ditë më parë, kreu i SPAK, Klodian Braho u tha gazetarëve se çështja e Belinda Ballukut është me prioritet dhe se hetimet ndaj saj vijojnë.
Balluku është marrë e pandehur për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe. Ndaj saj vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur ajo ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”.


