IKMT nis spastrimin e “varrezave të makinave”, Balla: Pamje që nuk i bën nder Shqipërisë turistike
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur një aksion për të pastruar varrezat e makinave përgjatë rrugëve. Ky aksion po zhvillohet dhe në mbështetje të Policisë së Shtetit. Ndalohen me ligj vendgrumbullimet e mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, mjeteve të dala jashtë përdorimit përgjatë rrugëve.
Gjatë fazës së parë të këtij procesi do të kërkohet heqja vullnetare nga zotëruesit e këtyre vend-grumbullimeve. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndoqi nga afër një aksion të IKMT në autostradën Tiranë-Durrës, për pastrimin nga vendgrumbullimet e mjeteve motorike të vjetra, pikave të skrapit etj.
Gjatë këtij aksioni, IKMT mbështetet nga forca të Policisë së Shtetit, të Komisariatit Vorë, në mënyrë që të çlirohen hapësirat ndanë rrugëve kryesore nga këto biznese të paligjshme. Gjatë këtij inspektimi, Balla theksoi se “ka një ligj i cili detyron çdo biznes që të qëndrojë 1 km larg rrugës kryesore. Pastaj, më keq se kaq, vendosja e makinave në karrexhatë, është burim aksidentesh.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Duam mirëkuptimin tuaj që të merrni mesat, por mos harroni që kjo është jo vetëm e lidhur me aspektin e sigurisë, por mbi të gjitha lidhet me një pastrim që duam t’iu bëjmë krahëve të të gjitha rrugëve të Shqipërisë. Këtu do të përfshihet edhe Policia e Shtetit. Ju duhet jo vetëm ta mbështesni IKMT, por në zbatim të urdhrit, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të merrni kontakte me të gjitha bizneset, të cilat duhet të zbatojnë ligjin.
Po ashtu të kujdeseni për heqjen e këtyre mjeteve që janë parkuar në mënyrë të parregullt dhe që janë burim aksidentesh”. Ministri vuri në dukje se fillimisht shtetasve u dërgohet njoftimi për pastrimin e mbeturinave në mënyrë vullnetare nga ana e shtetasve, dhe vetëm pas kësaj faze, do të vijohet me procedurat e tjera sipas planit të masave të IKMT.
“Kjo pamje këtu, nuk i bën nder Shqipërisë. Shqipëria turistike e 2024-ës duhet të jetë e pastër dhe kjo nënkupton jo vetëm pastrimin e të gjitha mbetjeve por pastrimin e këtyre mbeturinave. Kjo gjëja këtu është për t’u shkrirë në metalurgji,” – nënvizoi Ministri Balla, duke iu drejtuar shtetasit që zotëronte një pikë grumbullimi. Në lidhje me aksionin e nisur nga IKMT, sidomos për autostradën Tiranë Durrës, Ministri Balla tha se “duhet të marrim kontakt me të gjitha bizneset dhe Komisariati i Vorës ka një përgjegjësi për shkak të një zone të madhe tregtare, që shtrihet përgjatë dy krahëve të autostradës, në mënyrë që të garantojmë që të gjitha bizneset të mbajnë përgjegjësi edhe për fasadën apo për ekspozimin, apo për mënyrën e vendosjes, daljes, në mënyrë që të bëjmë një pastrim si asnjëherë tjetër.
Akti ligjor që rregullon këtë feston më shumë se 10 vjet, por jemi në kohën e duhur që këtë akt ta shoqërojmë me akte të tjera nënligjore për të garantuar respektimin.”
Drejtori i Përgjithshëm i IKMT Ervin Hoxha, u shpreh se "ndodhemi në Kashar, në vijim të planit të masave dhe urdhrit për ndëshkimin dhe identifikimin e pikave të grumbullimit në mënyrë të paligjshme. Kemi identifikuar këtë pikë ku zotëria Muhamet Mali ushtron një aktivitet prej disa vitesh në tregtinë e automjeteve. Kjo është një pikë që përbën disa problematika, të cilat përkojnë me planin e masave që kemi hartuar. Eshtë një pikë burim aksidentesh, ka shumë mjete të grumbulluara, hekurishte, të cilat, si gjithë bizneset e tjera duhet të formalizohen duke krijuar një standard të ri.”
Pronari i pikës së grumbullimit u shpreh se “kemi marrë njoftimin që do bëhen këto, prandaj kam sjellë edhe kamionin që t’i largoja prej këtu”. Kryeinspektori Hoxha theksoi gjithashtu se “në planin e masave që kemi hartuar kemi caktuar një afat kohor i cili do t’iu njoftohet subjekteve. Në përfundim të këtij afati do të fillojmë me masat plotësuese, ndëshkim subjektesh, bllokim dhe sekuestrim. Janë hartuar modalitetet dhe dokumentacioni. Kjo nuk është një fushatë që kërkon të dëmtojë biznesin, por një aksion që kërkon të stabilizojë, normalizojë dhe formalizojë këtë biznes si çdo biznes tjetër. Kjo veprimtari do të shtrihet në të gjithë vendin dhe kërkon vëmendjen dhe mirëkuptimin e qytetarëve"