Identifikohet “vrasësja seriale” e maceve në Tiranë, kallëzohet në prokurori

Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin e një gruaje që është denoncuar vazhdimisht në rrjetet sociale për keqtrajtimin e maceve.
Bëhet fjalë për shtetasen me inicialet E.H, 46-vjeçe, e kallëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale të keqtrajtimit të kafshëve.
Gruaja në fjalë është filmuar disa herë duke dhunuar macet në zona të ndryshme të Tiranës, madje është shfaqur gjatë një interviste televizive në sheshin “Skënderbej” duke mbajtur një mace të ngordhur në duar, të cilën e ledhatonte duke pretenduar se ishte gjallë.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një lajm të postuar në portale, me video ku shfaqet një shtetase që keqtrajton kafshë (mace) në mënyrë të vazhdueshme, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas publikimit të pamjeve filmike, kanë filluar menjëherë hetimet për rastin në fjalë, sipas të gjitha dispozitave të parashikuara në Kodin Penal, dhe në përfundim të veprimeve kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetases E. H., 46 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale "Keqtrajtimi i kafshëve".

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, më datë 23.11.2022, janë referuar materialet në Prokurori, për këtë shtetase, për të njëjtën vepër penale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë të gjitha rastet e paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112.


