Meta ironizon paaftësinë e Ramës: Nuk shuan dot zjarrin në ‘oborrin’ e shtëpisë së vet

Politikë

Meta ironizon paaftësinë e Ramës: Nuk shuan dot zjarrin në

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të investojë më shumë për mjete dhe avionë zjarrfikës, në mënyrë që të përballohen situatat e vështira të zjarreve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta theksoi se zjarrfikësit në vijën e parë të frontit operojnë me pajisje të vjetëruara, paga qesharake dhe pa mbështetjen që meritojnë.

Duke përmendur zjarrin në Priskë, Meta ironizoi kryeministrin Edi Rama duke thënë se ai nuk arrin dot të shuajë zjarrin në ‘oborrin’ e shtëpisë së vet.

Meta foli edhe për propozimin e PS për shkrirjen e 15 bashkive, teksa tha se kjo do të sillte vështirësi në menaxhimin e emergjencave civile në të gjithë vendin, “e sidomos në Fushë-Arrëz, Memaliaj, Poliçan, Selenicë apo Maliq, ku ka masive të tëra me pyje dhe që zjarrfikësve do u duhen orë për të shkuar në terren.”

Reagimi i Metës:

Priska, kurora e gjelbër e Tiranës, po shkrumbohet nga flakët. Po digjen pyje e ullishte, ndërsa dhjetëra shtëpi janë nën kërcënimin e zjarrit.

Por Priska nuk është e vetmja. Flakët po përhapen në të katër anët e vendit, në Krujë, Mallakastër, Përmet, Dibër, Patos, Shkodër, Devoll dhe në zona të tjera të vendit, duke vënë në rrezik banesa dhe shkrumbuar pyje dhe pasuri të qytetarëve.

Dhe ndërsa emergjencat civile shtohen çdo vit, fondet për përballimin e tyre pakësohen. Në vend që të investohet për kapacitete reale, mjete moderne, pajisje dhe avionë zjarrfikës, paratë publike digjen për incenratorë që nuk ekzistojnë si ai i Tiranës, apo për cirk si me Kanye Ëest dhe propagandë.

Ndërsa për ditë me radhe qytetarët janë braktisur në luftën me zjarret, po njësoj edhe zjarrfikësit në vijën e parë me pajisje të vjetëruara, paga qesharake dhe pa mbështetjen që meritojnë.

Edi Rama e ka vilën në Surrel, por nuk arrin të menaxhojë dot një zjarr vetëm pak kilometra më larg, në Priskë.

Nuk fik dot zjarrin në “oborrin” e shtëpisë së vet, por kërkon të na bindë se me projektin e tij për shkrirjen e 15 bashkive do të menaxhojë më mirë emergjencat në të gjithë vendin, e sidomos në Fushë-Arrëz, Memaliaj, Poliçan, Selenicë apo Maliq, ku ka masive të tëra me pyjedh e që zjarrfikësve do u duhen orë për të shkuar në terren.

Mirënjohje dhe respekt për zjarrfikësit, që po përballen me flakët në vijën e parë të betejës. Ata po bëjnë detyrën e tyre, edhe kur shteti i ka braktisur e nuk u jep mjetet, pajisjet dhe mbështetjen që u nevojitet.

Sot qytetarët janë përballë dy zjarreve: flakëve dhe mungesës së shtetit.

Kur shteti i braktis dhe i lë njerëzit në mëshirë të fatit, përgjegjësia është të solidarizohen, të vetëorganizohen dhe të mos e braktisin njëri-tjetrin, por të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur jetën, shtëpitë dhe pasuritë e tyre.

Sepse Edi Rama dhe shteti është me pushime. Flakët jo.

ME TE LEXUARAT