Një tjetër kryebashkiak i del kundra Ramës: Me ne nuk mund të luhet

Politikë

Një tjetër kryebashkiak i del kundra Ramës: Me ne nuk mund

Kundërshtimet ndaj reformës së re territoriale vijojnë edhe në veri të vendit, teksa kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka dalë kundër projektligjit për riorganizimin e njësive vendore.


Në një intervistë për A2 CNN, Curri deklaroi se nuk ishte ftuar në takimin e zhvilluar nga kryeministri Edi Rama në Kuç të Vlorës me kryebashkiakët, duke shtuar se edhe nëse do të ishte ftuar, qëndrimi i tij do të kishte qenë kundërshtues.

Curri tha se kundër bashkimit të Fushë-Arrëzit me Pukën është shprehur publikisht edhe kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, gjatë një proteste të zhvilluar në Fushë-Arrëz. Sipas tij, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Pukës.

“Ai deklaroi publikisht që unë nuk jam dakord të bashkohem me Bashkinë e Fushë-Arrëzit. Edhe kryetari i këshillit bashkiak deklaroi që nuk jemi dakord”, tha Curri.

Kryebashkiaku kundërshtoi gjithashtu mënyrën se si, po përcaktohet e ardhmja e komuniteteve, duke argumentuar se vendimet për territoret nuk mund të merren nga ministra apo deputetë.

Ai vuri në pikëpyetje edhe ekspertizën mbi të cilën është hartuar projekti, duke thënë se nuk beson se bëhet fjalë për një reformë të ndërtuar mbi ekspertizë të mirëfilltë europiane.

“Ne nuk mund t’i lëmë fatet e të ardhmes të komunitetit të Fushë-Arrëzit… si mund ta pranojmë që me ne mund të luhet”, deklaroi Curri.

ME TE LEXUARAT