Moti ka menduar për të gjithë/ Si pritet të jenë kushtet atmosferike në javët e fundit të muajit gusht?

Rënie temperaturash parashikohet ditët në vijim në të gjithë vendin. Të premten, vlerat e termometrit, sipas Institutit të Gjeoshkencave, do të shkojnë deri në 36 gradë Celsius në zonat e ulëta, ndërsa në bregdet nuk do t’i kalojnë 34 gradë Celsius.
Megjithatë, rreziku për zjarre nuk ka kaluar. Thatësira e ditëve të fundit favorizon flakët.
Në një pjesë të territorit, si në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Gjirokastrës, Instituti i Gjeoshkencave parashikon rrezik më të lartë. Ndërsa në qarqet Dibër, Kukës, Korçë dhe Vlorë rreziku është i moderuar.
Por gjithashtu, meteorologët parashikojnë edhe reshje shiu që mund të ndihmojnë për shuarjen e flakëve të mundshme në zonat me rrezik.
Pasditen e të premtes dhe të shtunën, reshjet priten kryesisht në zonat kodrinore dhe malore. Megjithatë, meteorologët thonë se ato do të jenë lokale dhe do të zgjasin pak.


