Sulmi ndaj avokat Mëngjesit, Saimir Vishaj: Është vrasje në tentativë, jo rrahje

Avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë në gjendje të rëndë, në koma, dhe 72 orët në vijim janë vendimtare për të parë se si do të reagojë. Mjekët thanë se në momentet e para avokati ishte koshient, por më tej humbi vetëdijen e përfundoi në intubim.
Kreu i Avokatëve Penalist, Saimir Vishaj i ftuar në “Frontline” në Report Tv me gazetaren Marsela Karapanço, u shpreh se ka shpresë që gjendja e tij të përmirësohet. Nga ana tjetër Vishaj tha se kemi të bëjmë me një vrasje në tentativë dhe të mos quhet më rrahje.
“Mëngjesi ishte paqësor e dashamirës, ka nxjerrë dhjetëra e qindra breza juristësh. Dje u tronditëm për herë të dytë kur u fut në gjendje kome, një komë që ishte e detyrueshme për shkak të hematomave të mëdha. Për mua është vrasje në tentativë, jo rrahje. Avokati ka qenë mbrojtës i interesave të tyre ligjore. Ne do rrimë deri në 5 ditë në gjendje të ngrirë sepse shpresojmë se do rikthehet në gjendjen e mëparshme. E rëndësishme për ne është shëndeti i kolegut sepse ne na ka humbur jetën kryetari i dhomës së avokatisë për çështje pronësisë. Na janë rrahur avokatët pranë gjykatave. Na vritet një avokat në qendër të Elbasanit. Të gjithë ne duhet të lutemi o zot bëj mrekulli. Unë do ju lutesha ti largoni pamjet se ai ka fëmijë. Pamjet janë trishtim dhe nuk mund të na sjellin asgjë”, tha Vishaj.
Për një ngjarje të rëndë si kjo deputeti i PS Lavdrim Krashi tha se duhet më shumë kujdes sa i përket akuzave politike të bëra nga Rithemelimi.
“Ajo që mund të themi është lutje për shëndetin e avokatit. Nuk kam çfarë të them tjetër. Sa i përket pjesës tjetër që mendoj se është më mirë ta diskutojmë në një kohë tjetër. Zoti Mëngjesi është avokat i profilit të lartë, ka përfaqësuar njerëz të lartë të politikës dhe të krimit. Ka qenë avokat i një të dënuari për inceneratorët. Ping pongu me akuza duhet të jetë shumë i përmbajtur. Dua që ata persona të vihen sa më parë para drejtësisë. Raste të tilla bëhet edhe për të parë se për çfarë ka nevojë të ndërhyhet në legjislacion”, tha ai.


