Abuzimet me çmimet / Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit ngre alarmin për rritjen e pajustifikuar të tarifave

Aktualitet

Abuzimet me çmimet / Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit ngre

Rritja e numrit të turistëve gjatë sezonit veror është shoqëruar edhe me shqetësime për abuzimet me çmimet në disa zona turistike të vendit. Nga paketat turistike me kosto të ndryshuara deri te produktet bazë të shitura me çmime disa herë më të larta, ankesat e konsumatorëve vijojnë të shtohen.

Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka ngritur alarmin për raste kur çmimet e reklamuara nuk kanë përputhur me kostot reale të kërkuara pas mbërritjes së turistëve në destinacionet shqiptare. Sipas kësaj qendre, disa pushues janë përballur me ndryshime të papritura në çmimet e paketave turistike dhe shërbimeve të ofruara.

Drejtori i Ankesave pranë Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa, deklaron se një tjetër shqetësim i evidentuar janë edhe çmimet e fryra për produktet bazë, veçanërisht ujin, i cili në disa raste është shitur disa herë më shtrenjtë se kostoja e furnizimit.

Sipas tij, praktika të tilla jo vetëm dëmtojnë konsumatorët, por ndikojnë edhe në imazhin e turizmit shqiptar dhe përvojën e vizitorëve vendas e të huaj.

Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit kërkon rritjen e kontrolleve nga institucionet përgjegjëse dhe zbatimin e rregullave që garantojnë transparencë në çmime, në mënyrë që sezoni turistik të zhvillohet me standarde më të larta dhe me mbrojtje më të madhe për konsumatorët.

ME TE LEXUARAT