Atentati me dron ndaj biznesit të Lefter Kokës, autori i arrestuar biznesmen në Durrës, iu gjet dhe...

Aktualitet

Atentati me dron ndaj biznesit të Lefter Kokës, autori i arrestuar

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në qytetin e Durrësit, ku ndaj biznesit të deputetit Lefter Koka është tentuar një sulm me dron. Dy netë më parë, një dron me tritol ka shpërthyer në një prej bizneseve në pronësi të tij, i cili administrohet nga shtetasi Jurgen Dashi.

Për ngjarjen ditën e mëpasshme policia dha një njoftim të shkurtër, por pa specifikuar metodën që kishin ndjekur autorët, dhe as identitetet e tyre të plota.

Burime bëjnë me dije se për ngjarjen është vënë në pranga menjëherë më pas shtetasi Gentian Meta (i cili ka një lokal në Durrës), për të cilin Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg.

Biznesi në fjalë ku shpërtheu tritoli, kantinë vere, menaxhohet nga një person i besuar i Lefter Kokës, ndërkohë që personit të arrestuar iu gjet edhe pulti me të cilin kishte komanduar dronin.

Për hetimin e kësaj ngjarje ka hyrë në lojë dhe njësia e antiterrorit në policinë e shtetit, ndërsa ky është rasti i parë i atentateve me dron në vendin tonë.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar, ndërkohë që vetë Koka nuk ka pranuar të japë asnjë prononcim në lidhje me ngjarjen, apo dyshimet që ai mund të ketë për autorët.

Policia arrestoi dhe menaxherin e lokalit në pronësi të Metës, të cilit iu gjet një armë zjarri, ndërkohë që dyshimet janë se ngjarja ka ndodhur për shkak të konkurencës.

Njoftimi që jepte Policia:

Vendosi lëndë eksplozive në një objekt biznesi, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë nga Policia. Vihet në pranga edhe menaxheri i lokalit në pronësi të autorit të dyshuar, pasi nga kontrolli në mjetin e tij Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për shpërthimin e një sasie të vogël lënde eksplozive të hedhur mbi tarracën e një godine trekatëshe, objekt biznesi, në pronësi të shtetasit J. D., në lagjen nr. 14 Durrës, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit: G. M., 44 vjeç, banues në Shijak.

Nga shpërthimi i lëndës eksplozive janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

ME TE LEXUARAT