Çështja ‘Aruba’, Lubonja: S’e kam shpikur unë, e thotë SPAK, Rama duhet hetuar për pastrim parash

Analisti Fatos Lubonja komentoi deklaratën e Edi Ramës që bëri ndaj tij, në lidhje me çështjen Aruba. Rama e sulmoi analistin duke thënë se ai i kërkon llogari për Arubën, por që sipas tij, nuk ka qenë kurrë në atë ishull.
Lubonja, në intervistën për News24, theksoi se komentet e tij për këtë çështje janë bazuar në atë që ka të bëjë me dosjen e SPAK, që ka qarkulluar në media. Lubonja tha se kryeministri ka përgjegjësi sepse në atë takim, sipas dokumenteve, thuhet se ka pasur edhe përfaqësues të autoriteteve shqiptare.
Lubonja theksoi se nëse ka një njeri që ka firmosur për kullat dhe resortet që përmendet është kryeministri Rama, dhe për këtë, autoritetet e drejtësisë duhet ta hetojnë atë për pastrim parash të krimit të organizuar.
“Lidhur me çështjen Aruba, unë mesa kujtoj, se kam dhënë intervista, jam pyetur nga gazetari dhe midis të tjerave duke folur për ligjërimet e Ramës. Kam thënë se duhet të përgjigjet për Arubën. Këtë nuk po e shpif unë por e kam gjetur tek dosjet e SPAK, që pjesërisht kanë dalë nëpër media. Aruba, dhe jo vetëm, edhe disa mbledhje të tjera, edhe në Spanjë, Gjermani, që janë interceptuar nga shërbimet belge e spanjolle, që ia kanë çuar SPAK, del që aty ka një projekt që bën krimi i organizuar.
Protagonisti kryesor është Artur Shehu dhe të tjerë që planifikojnë se si do të sjellin paratë në Evropë. E dyta janë marrë me çështjen e pronave në Shqipëri, që i kanë tjetërsuar. Dhe e treta me pastrimin e tyre nëpërmjet kullave dhe resorteve turistike. Këto i thotë dosja e SPAK.
Pse duhet të përgjigjet Rama për këtë? Jo vetëm se në ato dokumente thuhet se ka pasur përfaqësues të lartë të autoriteteve shqiptare, por edhe sepse nëse ka një njeri që ka firmën për kullat që përmenden aty dhe resortet është vetë Rama. Logjika të çon që minimalisht ky duhet hetuar edhe për pastrim parave të pista të krimit të organizuar.
Duhet të japë edhe përgjegjësi vendimeve të tija se mund të thotë se nuk e di se çfarë ishin ata kriminelë. Ka edhe përgjegjësi politike e morale.”, u shpreh Lubonja.


