Sot dita e 21-të e protestës, emigrantët nga diaspora mbërrijnë në Tiranë, nis marshimi drejt kryeministrisë

Tirana hyn sot në ditën e 21-të të protestave kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa është paralajmëruar se protesta e sotme do të jetë më e madhja e zhvilluar deri më tani para godinës së Kryeministrisë.
Shumë emigrantë nga diaspora kanë mbërritur këtë të shtunë në Tiranë për të qenë të pranishëm në protestën e sotme, e cila konsiderohet si kulmi i mobilizimit qytetar pas tre javësh demonstratash të pandërprera.
Grupi i emigrantëve shqiptarë që mbërritën sot në Tiranë ishin nisur prej ditësh nga Anglia me automjete private drejt Shqipërisë. Gjatë rrugës, karvanit i janë bashkuar edhe bashkatdhetarë nga Franca, Gjermania, Austria dhe vende të tjera europiane, duke formuar autokolona me flamuj kuqezi.
Protesta, sipas organizatorëve, ka tejkaluar kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit masiv të të rinjve nga vendi.




]

Kjo e sotmja është cilësuar si protestë mbarëkombëtare ndërsa qytetarëve në Tiranë u janë bashkuar dhe të ardhur nga diaspora, disa prej të cilëve me disa makina kanë parakaluar në akset kryesore të kryeqytetit.
Diaspora është grumbulluar te bulevardi ‘Zogu i Parë’ dhe do u bashkohet protestuesve të tjerë në sheshin ‘Skënderbej’ për të vijuar me marshimin drejt kryeministrisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë.
Në ditën e 21-të të protestave, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kërkesave për dorëheqje, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe jashtë realitetit.


