Vodhën edhe oksigjenin në spitale!” – Visjan Ukcenaj shpërthen keq: Na lanë të punojmë sa të mos vdesim ....

Në mbështetje të revoltës qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës ka dalë edhe aktori i njohur i humorit, Visjan Ukcenaj. Në një postim në rrjete sociale, ai shkruan se me protestat masive, po bie “kulla e babëzisë” që e ka mbytur vendin për vite me radhë, duke iu referuar qeverisë.
“Shushunjat e pangopura që kanë vjedhur dhe oksigjenin nëpër spitale, që na kanë dhënë për të ngrënë kancer nga produktet e vdekura që na kanë shitur, që na kanë lënë të punojmë sa për të mos vdekur.”, shkruan aktori.
Aktori rendit një sërë problematikash, nga emigracioni dhe mungesa e shtresës së mesme, gjendja e qyteteve të vogla, arti dhe kultura, si edhe kushtet ekonomike e sociale me të cilat përballen shqiptarët.
Në fund të reagimit të tij, Ukcenaj shprehet se “po shkatërrohet kulla e arrogancës dhe delirit të madhështisë”.

Reagimi i plotë i aktorit:
Po bie kulla e babëzisë që ka mbytur me vite këtë vend.
Shushunjat e pangopura që kanë vjedhur dhe oksigjenin nëpër spitale, që na kanë dhënë për të ngrënë kancer nga produktet e vdekura që na kanë shitur, që na kanë lënë të punojmë sa për të mos vdekur.
Në një shoqëri që s’ka shtresë të mesme…
Ku motra dhe vëllezër i takojmë një herë në vit se na i mori emigrimi.
Ku lokalizuan të gjithë vëmendjen vetëm në kryeqytet dhe privatizuan bregdetet.
Ku qytete e vogla s’kanë më jetë…
Teatrot në rrethe kanë vdekur…
Ku artistët s’i vlerëson askush…
Ku policët kanë frikë të bëjnë detyrën se mos i heqin nga puna…
Po shkatërrohet kulla e arrogancës dhe delirit të madhështisë.


