Heqja e flamurit të Ambasadës së Izraelit nga protestuesit në Tiranë, reagon Ministria e Jashtme: Akt i turpshëm dhe i papranueshëm

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së një nate më parë në Tiranë, ku persona të maskuar hoqën dhe dëmtuan flamurin e Ambasadës së Izraelit.
Në deklaratën zyrtare, Ministria thekson se veprime të tilla nuk mund të justifikohen si ushtrim i lirisë së shprehjes apo i së drejtës për protestë paqësore. Sipas saj, ato përfaqësojnë akte intolerance dhe urrejtjeje, të cilat bien ndesh me parimet demokratike dhe vlerat evropiane që Shqipëria mbron dhe promovon.
Institucioni vëren se ngjarje të tilla janë në kundërshtim me traditën shqiptare të respektit, bashkëjetesës dhe mikpritjes, duke nënvizuar se sjellje të tilla nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe vlerat e qytetarëve shqiptarë.
Ministria shprehu solidaritet me Ambasadën e Izraelit dhe ritheksoi angazhimin e Shqipërisë për garantimin e sigurisë së misioneve diplomatike dhe mbrojtjen e simboleve të tyre, në përputhje me normat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Në përfundim, Ministria theksoi se dhuna, kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe se akte të tilla shërbejnë vetëm për të nxitur përçarje dhe tensione.


