“Fyerja më e rëndë erdhi nga bashkëpunëtorët e mi”, Veliaj: Zot fali! Nuk denjuan as të më dëgjonin

Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot kërkesën e ish-kryebashkiakut të Tiranës për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.
Erion Veliaj thotë se u shkarkua se nuk u paraqit në punë, ndërsa shton se ‘fyerje më të rëndë nga kjo nuk ka’.
Ndër të tjera, Veliaj u shpreh se ‘Është fyerja më e rëndë sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. Zoti i faltë’.
“Kur beson se ke dhënë gjithçka për qytetarët, vjen largimi nga detyra. Nuk kishte fyerje më e rëndë se kjo. Është fyerja më e rëndë sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. Zoti i faltë. Dy padrejtësi nuk prodhojnë më shumë drejtësi. Të thuash që Veliaj ka munguar në detyrë nuk është cinizëm për mua. Mbi të gjitha nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit tim pa asnjë akuzë. Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është nëna ime dhe familja ime“, tha ai.
Veliaj:
Pushteti që ata na kanë dhënë për t’u shërbyer, përdoret për t’i sunduar, me të njëjtat mjete që na ka vënë në dorë për t’i mbrojtur. E atëherë, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga vetë ata që, nën betimin për ta mbrojtur, e përdorin për ta nënshtruar.
“Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve.”
Ky ishte një fragment nga formula e betimit tim si Kryetar Bashkie, tre herë i zgjedhur.
Ndaj, jam sot këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim — kontratën time me qytetarët e Tiranës. Një kontratë që ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në diell e në shi, në çdo rrugë të shtruar, në çdo kënd lojërash, në çdo shkollë, kopësht, çerdhe, apo bulevard, kala, shesh e park që ka ndryshuar Tiranën — nga pandemia e kobshme, ku çonim ndihma të izoluarve, te tërmeti kur ndërtuam shtëpitë e mijëra familjeve.
E do ta mbroj edhe këtu, përpara jush, deri në fund. Sepse nuk besoj se ka diçka më fisnike për t’u bërë, as diçka më frymëzuese për një njeri që i shërben publikut, sesa të mbrojë besimin që i është dhënë me votë. Besimin për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, por kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, një qytet që rreh me pulsin e gjithë kombit.
E kur beson se ke dhënë gjithçka për këtë mandat të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra: “Mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj.”
Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin.
Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë.
Kjo “akuzë” nuk më lëndon për fjalën dhe shkresat e shkreta, por për padrejtësinë që ajo përfaqëson. Siç thotë shprehja: Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.
Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje. Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.
Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike. Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundon dëshira dhe vullneti politik, dhe jo ligji.
Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është vetëm nëna dhe familja ime — për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër.
Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë.


