Flakët shkrumbojnë Malin e Krujës, operacioni nuk ndalet gjatë natës, mbi 200 efektivë të emergjencave civile dhe 3 helikopterë në terren

Operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës kanë vijuar me intensitet gjatë gjithë natës, me angazhimin e strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka ndjekur nga afër situatën në terren, ndërsa ka koordinuar angazhimin e Forcave të Armatosura, strukturave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe institucioneve të tjera të emergjencave civile.
Në operacion janë angazhuar mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe rreth 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Në terren dhe nga ajri po operojnë:
21 mjete zjarrfikëse
3 helikopterë
1 dron Bayraktar TB2
2 dronë me kamera termike të AKMC-së
Autoambulanca dhe mjete të tjera mbështetëse
Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së ndodhet në zonë për koordinimin dhe monitorimin e operacionit.
Strukturat në terren vijojnë punën me angazhim maksimal dhe në koordinim të plotë, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme si nga toka, ashtu edhe nga ajri.
Prioriteti kryesor i operacionit mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe izolimi dhe vënia nën kontroll e plotë e vatrave të zjarrit në zonën e Krujës.


