Ervin Salianji për herë të fundit tek shërbimi i provës: Beteja me drejtësinë sapo ka filluar! Do e çoj në Strasburg

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, është paraqitur për herë të fundit tek shërbimi i provës, masë e cila iu dha si kush për lirimin e tij nga qelia.
Ai u shpreh se beteja e tij me drejtësinë sapo ka filluar, duke shtuar se çështjen do e çojë në Kushtetuese e më pas në Strasburg.
“Beteja me drejtësinë sapo ka filluar, do e depozitoj në Gjykatën Kushtetuese për pak ditë. Më pas në Strasburg, besoj në fitore”, tha ai.
Salianji renditi edhe, sipas tij, padrejtësitë që iu janë bërë, duke theksuar se iu hoq mandati i dhënë nga qytetarët.
“Është dënim pa ligj, nuk ka kallëzim të rremë në publik. E dyta është një fakt i provuar që personi që kam denoncuar brenda ditës është dorëzuar autoriteteve italiane. E treta, pasoja që ka sjellë është pozitive, jo negative. E katërta, në Shqipëri është rasti i parë që për kallëzim të rremë dënohet dikush me 1 vit burg.
E pesta, më janë ndaluar 5 vite funksion duke më hequr 1 mandat nga qytetarët dhe duke më ndaluar një mandate tjetër në betejën që do isha në zgjedhjet e Elbasanit. Ka mijë shkelje”, u shpreh demokrati.
Ish-deputeti u lirua pas më shumë se 9 muaj qëndrim në burgun e Fierit pa përfunduar afatin e dënimit me 1 vit burg të caktuar nga Apeli në Tiranë.
Kjo pasi Gjykata e Fierit, më 8 Korrik 2025, vendosi lirimin me kusht të Ervin Salianjit për shkak se prokurori i çështjes dha dakordësinë.
Gjithashtu, në atë kohë shërbimi i provës dhe IEVP Fier paraqitën para togave të zeza raport pozitiv për Ervin Salianjin.
Më 26 shtator 2024, Gjykata e Apelit mori vendimin për dënimin me një vit burg të ish-deputetit demokrat për “kallëzim të rremë” për denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa.


