EMRAT/ Trafik droge dhe grabitje, ekstradohen nga Shqipëria drejt Italisë dhe Kosovës 4 të dënuar

Katër persona janë ekstraduar drejt Italisë dhe në Kosovës. Mes tyre dhe Bledar Dushkaj alias Bledar Delia, 39-vjeç, i dënuar me 7 vite burgim për “Trafikim të lëndëve narkotike”. 39-vjeçari me dy emra dyshohet si i përfshirë në një organizatë kriminale, e cila trafikonte drogë nga Holanda në drejtim të Italisë, në vitet 2007-2008.
“U ekstraduan nga Shqipëria në Itali, shtetasit: Bledar Dushkaj alias Bledar Delia, 39 vjeç. Gjykata e Apelit e Milanos, me vendimin e datës 06.06.2011, e ka dënuar me 7 vjet burgim për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Ky shtetas ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka trafikuar drogë nga Holanda në Itali, gjatë periudhës nëntor 2007-shtator 2008;
Kristjan Uldedaj., 31 vjeç, të cilit Gjykata e Hetimeve Paraprake në Milano, Itali, me vendimin e datës 03.11.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Ky shtetas, gjatë periudhës 2015-2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka trafikuar në Itali, 35 kg kokainë dhe 3.4 tonë hashash.
U ekstraduan nga Shqipëria në Kosovë, shtetasit kosovarë: -Riad Sopjani., 23 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga ILECU, Kosovë, për armëmbajtje pa leje dhe grabitje, si dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky shtetas është arrestuar në Durrës, në muajin nëntor 2021, gjatë opracionit policor të koduar “Arratia”;
-Bastri Sadriu., 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga ILECU, pasi më datë 16.08.2022, ka vjedhur automjetin e një institucioni shtetëror në Prishtinë dhe ka tentuar ta trafikojë në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Qafë Morinë.”, njofton policia.


