EMRAT/ Dhanë dëshmi të rreme për një vrasje të dyfishtë në 1997, arrestohen çifti i bashkëshortëve

Dy shtetas, bashkëshortë me banim në Lezhë, janë vënë në pranga nga Policia, pasi akuzohen për dhënie dëshmie të rreme në një proces gjyqësor të zhvilluar dje në Gjykatën e Lezhës, në lidhje me një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në vitin 1997 në Mirditë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, arrestuan shtetasit:
Valbona Prenga., 53 vjeç dhe Agustin Prenga., 57 vjeç.
Të arrestuarit janë bashkëshortë dhe përballen me akuzën penale të “Dëshmisë së rreme”, pasi gjatë seancës gjyqësore dhanë deklarime që bien në kundërshtim me dëshmitë e tyre të mëparshme, lidhur me rrethanat e vrasjes së dy personave në fshatin Rrasfik të Mirditës, në vitin 1997.
Ngjarja për të cilën po zhvillohej gjyqi kishte ndodhur gjatë një konflikti familjar, ku shtetasi Gj. L., vëllai i Valbona Prengës, kishte vrarë me armë zjarri motrën dhe bashkëshortin e saj. Autori aktualisht vuan një dënim me burgim të përjetshëm, i shpallur fajtor për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Materialet procedurale u referuan pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e ndryshimit të dëshmisë nga ana e bashkëshortëve dhe për të verifikuar nëse pas kësaj manovre fshihen përpjekje për të ndikuar në ecurinë e procesit gjyqësor./vizionplus


