Dyshohet se vrau babain dhe më pas e hodhi në pus, Apeli lë në burg Esmerald Ballën
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg ndaj Esmerald Ballës, i cili dyshohet se vrau babanë e tij, ngjarje e ndodhur në muajin gusht.
Krimi i rëndë dyshohet se ka ndodhur më 11 gusht, ndërsa 30-vjeçari ka sajuar historinë se i ati ishte larguar me një grua tjetër së bashku me 75 mijë euro, para që u bënë “mollë sherri” mes baba e bir. Pusi ku trupi i viktimës u gjet më 4 shtator, ndodhet rreth 1 km larg banesës së familjes në fshatin Shënavlash të Durrësit.
Autori i krimit pasi ka hedhur trupin e pajetë në pus, ka fshirë çdo gjurmë që mund të çonin policinë tek ai. Mësohet se 30-vjeçari ka pastruar dhe larë makinën, me të cilën transportoi trupin e babait të tij dhe ka fshirë pamjet nga kamerat e sigurisë që monitoronin banesën.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Para organeve hetimore, Esmerald Balla ka deklaruar se arma e përdorur për të kryer vrasjen ishte e të atit.
Viktima Enver Balla mësohet është arrestuar dy herë për armëmbajtje pa leje, por ende policia nuk e ka vërtetuar se kujt i përkiste pistoleta. Esmerald Balla ishte i papunë dhe merrej me bagëtitë që kishte familja e tij. Ai jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre në një banesë me të atin dhe njerkën.
Ndërsa nëna i ka vdekur 5 vite më parë. Fqinji i 62-vjeçarit Enver Balla, i cili u vra nga djali pas sherrit për paratë, ka folur rreth ngjarjes, ku dhe ka treguar marrëdhënien që kanë pasur babë e bir. Sipas tij, çdo gjë ishte në rregull mes tyre dhe se punonin bashkë. Ai ndër të tjera ka treguar se në fshat, para se policia të zbulonte krimin e rëndë, ishte hapur fjala se 62-vjeçari ishte larguar nga banesa.