Droga si karamele / Kanabis laboratorik në formë xhelatine, policia sinjalizon shkollat. Kapet punishtja në Durrës

Shpërndarësit e drogës gjithmonë janë investuar për të gjetur forma dhe metoda të reja për të joshur të rinjtë dhe adoleshentët në konsumimin e lëndëve narkotike.
Së fundmi është vërejtur një trend në rritje i shpërndarjes së një lloji të ri kanabisi laboratorik në formë xhelatine apo karamelesh. Në vetëm 5 muajt e parë të këtij viti, policia ka sekuestruar rreth 700 gram të kësaj droge të re.
Ajo që e bën shqetësuese situatën është aksesimi i lehtë që të rinjtë dhe adoleshentët kanë për të siguruar këtë drogë, e cila tregtohet kryesisht online. Nga hetimet, policia ka identifikuar edhe një ambient në Durrës ku kjo drogë përpunohej në formë karamelesh prej xhelatine.
Nisur nga pamja jo tipike, kjo drogë në dukje e parrezikshme, por që në fakt mund të sjellë pasoja të rënda në shëndet, mund të konsumohet nga adoleshentët pa pasur informacion për përbërjen.
Nisur nga ky rrezik, Policia e Shtetit ka informuar edhe Ministrinë e Arsimit për shpërndarjen e kësaj droge mes adoleshentëve.
E lartë është edhe sasia e drogave të tjera të sekuestruara. Nga janari deri më 15 qershor, në operacione të ndryshme të Policisë së Shtetit janë sekuestruar rreth 9 kg kokainë, 3 kg heroinë dhe rreth 800 kg kanabis.


