Del fotoja e Isa Aliut, personit që pastroi 30 milionë euro të vëllait të tij, “kumbarit” të kokainës

Personi në foto është Isa Aliu, vëllai i Salvadore (Shpëtim) Aliut, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar urdhërarrest në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash.
Sipas dosjes hetimore, Isa Aliu dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Sipas hetimeve, Salvadore Aliu, i konsideruar si një nga drejtuesit kryesorë të rrjetit, dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Në komunikime të zbardhura nga platforma SKY ECC, mes tij dhe vëllait Isa Aliu, përmenden shuma të mëdha parash, përfshirë 6 milionë euro cash dhe më pas rreth 20 milionë euro të tjera që pritej të siguroheshin për investim.
Hetimet e SPAK tregojnë se grupi kriminal ka operuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës gjatë viteve 2019–2021, me rrugë kryesore nga Amerika e Jugut drejt Europës, dhe dyshohet se ka arritur të fusë rreth 50 tonë kokainë, nga të cilat janë dokumentuar disa episode sekuestrimi në sasi të mëdha.
Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv të 491 pasurive, me vlerë të përllogaritur në të paktën 150 milionë euro, që përfshijnë prona, hotele, vila dhe biznese në disa qytete të vendit.


