Dosja “Plumbi i Artë” përplas në sallën e gjyqit prokurorin me të pandehurin, shkak bëhet avokati

Aktualitet

Dosja “Plumbi i Artë” përplas në sallën e gjyqit

Këtë të martë në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar seanca e radhës në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.

Burime për mediat bëjnë me dije se kjo seancë ka dështuar dhe shkak janë bërë avokatët mbrojtës të cilët kanë vendosur që të heqin dorë nga procesi gjyqësor.

Avokati Gent Rumano ka deklaruar tërheqjen nga mbrojtja e të pandehurit Henrik Hoxha, ndërsa avokati tjetër, Shpëtim Kodhelaj, ka sqaruar se nuk mund të vazhdojë për shkak të angazhimeve të tjera gjyqësore.

Përballë mungesës së përfaqësimit ligjor, i pandehuri Henrik Hoxha ka kërkuar që të ketë një tjetër avokat.

“Doja të kisha një avokat tjetër”, u shpreh ai gjatë seancës.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK-ut, Behar Dibra, ka ngritur shqetësimin për përpjekje të përsëritura për zvarritje të procesit.

“Ka ngelur pa mbrojtje, por ne kërkojmë vazhdimin e seancës, pavarësisht se kjo e bën të pamundur. A je i sigurt? Se ti mund të vish prapë dhe të thuash të vijojë me Rumanon. Kjo sjell tejzgjatje të kota”, deklaroi Dibra para trupit gjykues.

Për shkak të situatës së krijuar, prokurori i kërkoi GJKKO pezullimin e afateve të paraburgimit.

“Të pezullohen afatet e paraburgimit në këto kushte dhe e shtyjmë. S’kemi çfarë të bëjmë”.

Burime për mediat bëjnë me dije se lidhur më këtë situata gjykata ka marrë vendimin për shtyrjen e gjyqit dhe seanca e radhës pritet të mbahet më datë 10 korrik.

ME TE LEXUARAT